Dardan Krivaqa dyshohet se ka grabitur dhe marrë para në kazino
Dardan Krivaqa është ulur sërish në bankën e të akuzuarit për një vepër tjetër penale. Ai dyshohet se në bashkëkryerje me Anton Beluli dhe Arbnor Lika në vitin 2012 kishin grabitur një kazino në Ferizaj. Të hënën ka dëshmuar një ish punëtor i kazinos.
Daljet në gjykatore nuk i ka të rralla.
Por të hënën, Dardan Krivaqa para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj nuk doli për vrasjen e Marigona Osmanit.
Kësaj radhe, Krivaqa bashkë me dy persona të tjerë po akuzohet për një grabitje në një kazino në Ferizaj para 12 viteve.
Sipas aktakuzës, Krivaqa, Anton Beluli dhe Arbnor Lika, më 14 dhjetor 2012 në bashkëkryerje kishin hyrë në kazino ku nën kërcënimin e revoles dhe thikës kishin marrë nga punëtorët aty 1 mijë e 500 euro dhe ishin larguar.
Në seancën e sotme ka dëshmuar Sefedin Denjani që në atë kohë kishte qenë punëtor në kazino.
Ai ka thënë se për shkak se ka kaluar kohë e gjatë nuk i mbanë mend detajet.
Tutje dëshmitari ka thënë se nuk i njeh të dyshuarit.
Pas dëshmisë së tij, tentuan që ti shfaqnin pamjet e natës kritike në sallë.
Por, në mungesë të pajisjeve teknologjike, seanca është shtyrë për muajin prill në mënyrë që të sigurohet një sallë adekuate për t’i parë të gjithë më qartë pamjet e 14 dhjetorit të vitit 2012.
Edhe vetë Krivaqa ishte i interesuar që ti shihte pamjet e asaj nate, për veprën penale grabitje që ngarkohet.