Dardan Molliqaj i kundërpërgjigjët Albin Kurtit
Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, duke i referuar deklaratës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se ata që dalin nga kjo lëvizje përfundojnë në prehrin e PDK-së, ka theksuar se ata që vazhdimisht merren me ta nuk janë asgjë tjetër vetëm një grup i falltorëve.
“E sot e paskan ‘zbuluar” se kemi dalë për të përfunduar në prehër të PDK-së. Kushedi se çfarë zbulime e parashikime do të dalin tash e tutje nga grupi i falltorëve të dobët. Por, ajo që dihet është që kësaj partie iu ka ndalur ora qysh kur ne jemi larguar nga aty. Vazhdimisht thonë se jemi pak aktivistë, të vegjël e të parëndësishëm, por vihen shumë në siklet nëse kalon vetëm një ditë pa shpifur për neve”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Molliqajt:
Fillimisht, grupi i falltorëve të dobët thanë se ne u larguam sepse ishim spiun të Stanishiqit.
Pastaj thanë se ne u larguam sepse na kishin blerë Devollët.
Më vonë thanë se arsyeja e largimit tonë ishte ndikimi i ambasadave ndërkombëtare.
Dikur thanë se ne u larguam për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi.
Pastaj “zbuluan” se ne u larguam për shkak se ishim të interesuar për tu futur në Qeveri.
Pak më vonë thanë se në fakt arsyeja e largimit tonë qenka falja e tokave Serbisë.
E sot e paskan “zbuluar” se kemi dalë për të përfunduar në prehër të PDK-së.
Kushedi se çfarë zbulime e parashikime do të dalin tash e tutje nga grupi i falltorëve të dobët. Por, ajo që dihet është që kësaj partie iu ka ndalur ora qysh kur ne jemi larguar nga aty. Vazhdimisht thonë se jemi pak aktivistë, të vegjël e të parëndësishëm, por vihen shumë në siklet nëse kalon vetëm një ditë pa shpifur për neve.
E ne fatkeqësisht do t’i zhgënjejmë. Përveç se nuk do të futemi në këtë Qeveri, do të angazhohemi vazhdimisht që PDK-në ta largojmë nga pushteti pas kaq shumë vitesh keqqeverisje. Ju vazhdoni të qitni fall, se pavarësisht që parashikimet i keni të dobëta, ndoshta me kalimin e kohës përmirësoheni në këtë fushë.
/Epoka e re/