Dardan Molliqaj: Të gjitha kushtet e PSD-së u plotësuan
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka folur për kushtet e këtij subjekti politik që ka pasur ndaj Qeverisë, e që sipas tij janë plotësuar.
“Shumë nuk na besuan. Na thanë që nuk ka shancë ta shkarkoni Rikallon. Na thanë që ligji për paga është i pashpresë dhe nuk do të bëhet. Na thanë që ligjin për dialog nuk do t’ua pranojë pushteti sepse është kufizues për të… “, ka shkuar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Por ne në vend të vajtimeve e akuzave, vendosëm të ecim përpara. Dhe ja ku jemi. Sot e shkarkuam Rikallon. Sot kemi ligj të pagave që ua rritë pagat të gjitha kategorive të sektorit publik. Sot kemi ligj që e rregullon dialogun dhe ia kthen kuvendit rolin drejtues. Sot kemi komision për sistemin pensional, që do ta rregullojë këtë të fundit. Për 3 muaj do të kemi Ligj për Qeverinë që do ta kufizojë numrin e zv.ministrave në vetëm 2 për ministri”.
“I falenderoj të gjithë mbështetësit e PSD-së që patën durimin të përballojnë shpifjet e akuzat e ulëta. Që patën durimin të na mbështesin dhe së bashku të nxjerrim në dritë një politikbërje krejt ndryshe prej asaj që e kanë bërë partitë deri sot. Një politikbërje që sjell ndryshim në Kosovë”, ka shkruar deputeti Molliqaj.
Për të shtuar “Ju falenderoj që nuk u dëshpëruat përballë akuzave e shpifjeve të ulëta por treguat që në Kosovë po lind një subjekt normal, demokratik, me politika e zgjidhje konkrete e pozitive, që bazon veprimet në program e parime e jo në thëniet e liderit apo sloganet dogmatike. Po ecim përpara dhe nuk do të ndalemi”, ka thënë Molliqaj.