Dardana, sigurt drejt Ligës së Parë
Skuadra e Dardanës e ka fituar derbin e javës në Ligën e Dytë, Grupi B, ndaj Ulpianës me rezultat 1-0. Ky rezultat e mban këtë klub në rrugën e duhur për të vazhduar drejt synimit, që është inkuadrimi në Ligën e Parë.
Ndeshja e zhvilluar në Kamenicë në mes të Dardanës dhe Ulpianës ishte mjaft e fortë, kurse goli i shënuar në minutën e 17 nga kapiteni Ilir Zubaku e vulosi fatin e ndeshjes. Ky ishte një gol jashtëzakonisht i bukur nga gjuajta e lirë, kurse vlera e tij është shumë e madhe, pasi Dardana tash është e dyta në renditjen tabelore me vetëm një pikë më pak se skuadra e Ulpianës.
Skuadra vendëse e dominoi ndeshjen derbi si për nga posedimi i topit, ashtu edhe për nga rastet e shënimit, derisa Ulpiana e kishte vetëm një rast të mirë, por portieri Arianit Behrami nuk lejoi që të shënojë skuadra mysafire. Vlen të ceket se skuadra e Dardanës është mjaft e përgatitur dhe një prej skuadrave më të mira në ligë. Pjesë e kësaj skuadre është edhe mesfushori Visar Zogiani, që është ndër mesfushorët më të mirë të ligës, kurse ka përvojë edhe në Superligë, ku vite më parë me sukses ka djersitur fanellën e Prishtinës, por edhe të klubeve të tjera.
Dardana e ka mbrojtjen më të mirë në ligë me vetëm pesë gola të pranuara falë mbrojtësit më të mirë Erzen Zyberaj. Ky klub, që synon pozitën e parë në tabelë, e ka edhe sulmin më të mirë, derisa shënuesi më i mirë në ligë është Egzon Huruglica. Merita për rezultatet e mira në këtë edicion ka edhe trajneri Erdin Hashani, i cili përgatit dhe motivon futbollistët me logjikën e fituesit në secilën ndeshje. Edhe kontributi i kryetarit të klubit Sevdai Kastrati është i jashtëzakonshëm, për faktin se Dardana është një klub stabil në aspektin financiar. Skuadra e Dardanës nga dymbëdhjetë ndeshje të zhvilluara ka regjistruar nëntë fitore dhe tri barazime, duke grumbulluar 30 pikë.
/Liridon ZEQIRI/