‘Dardanët’ dhurojnë 25 mijë euro për humanizëm
Kombëtarja e Kosovës për një kohë të shkurtër pas daljes në arenën ndërkombëtare ka arritur t’i fitojë zemrat e të gjithë popullit dhe është bërë storie suksesi.
Me djemtë “Dardanë” tashmë ndihen krenarë të gjithë. Ata janë shembull se si duhet përfaqësuar vendi dhe kombi, qoftë me paraqitjen e tyre në fushën e gjelbër, qoftë me kulturën e lartë sportive.
Mirëpo, përveç talentit dhe vlerave të tyre në futboll, ata, veçohen edhe për humanizëm të madh. Së fundmi, Kombëtarja e Kosovës ka ndarë 25 mijë euro për shoqatën humanitare “Jetimat e Ballkanit”, donacion nga i cili një familje në nevojë do të bëhet me shtëpi të re, derisa do të shtrohet edhe një darkë për fëmijët jetimë.
Ky donacion humanitar i djemve “Dardanë” ka ardhur me idenë e futbollistëve, e që është mbështetur edhe nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe i gjithë stafi i Kombëtares. Ky donacion njëherësh është shenjë falënderimi për mbështetjen e madhe që djemtë e Kombëtares kanë pasur nga i gjithë populli si në ndeshjet e Ligës së Kombeve, ashtu edhe në kualifikimet për “Euro 2020”.