‘Dardanët’ duan fitore në ndeshjen më të rëndësishme
Kosova po synon ta fitojë ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj dhe në këtë mënyrë ta sigurojë me një këmbë kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Trajneri Bernard Challandes ka thënë se për ta arritur këtë sukses “dardanëve” u duhet një paraqitje e përkryer ndaj çekëve.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e enjte) zhvillon ndeshjen më të rëndësishme në histori të saj, kurse kundërshtare do të ketë Kombëtaren e Çekisë. Ndeshja në mes të dy skuadrave përfaqësuese zhvillohet nga ora 20:45 në “Doosan Arena” në qytetin e Plzenit.
Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se në fillim të kualifikimeve “dardanët” ishin të fundit, por që tash janë shumë afër kualifikimit në Kampionatin Evropian. “E dimë saktë se kush jemi ne dhe kush është Çekia. Gjatë shortit e dinim se e para ishte Anglia, pastaj Çekia, Bullgaria dhe Mali i Zi, kurse Kosova ishte e fundit. Ne nuk ndihemi në presion, e vlerësojmë faktin se kemi arritur deri këtu. E dimë se na pret një lojë ngazëlluese dhe kjo është një situatë e mrekullueshme për ne. E kemi një mundësi dhe mund ta arrijmë kualifikimin, por duhet ta bëjmë një lojë të përkryer, të jashtëzakonshme ndaj një kundërshtari mjaft të fuqishëm”, ka thënë Challandes, i cili e ka komentuar edhe mungesën e Vedat Muriqit. “Mungesa e Muriqit është e madhe dhe nuk kemi lojtar që do të mund ta zëvendësojë atë. Por ne duhet të përgjigjemi si ekip ashtu siç kemi bërë çdoherë deri më tani kur kemi pasur mungesa”, ka shtuar trajneri zviceran.
Krahas Challandesit në konferencë për medie i pranishëm ishte edhe Valon Berisha. Futbollisti i skuadrës së Lazios në Itali ka thënë se “dardanët” e kanë synim fitoren në ndeshjen ndaj çekëve, ani pse kundërshtari ka një ekip të fortë. “Kemi ardhur këtu të fitojmë, ta realizojmë një ëndërr që e kemi. Çekia është e fortë, ka ekip të mirë, por ne jemi gati për këtë ‘luftë’, pasi do të jetë një luftë si për ne, po ashtu edhe për ta. Kjo është ndeshja më e rëndësishme si kombëtare që e kemi luajtur deri më tani”, ka thënë Berisha dhe ka shtuar: “Humbje e madhe është mungesa e Vedat Muriqit. Për atë se a luaj unë nga minuta e parë, vendos trajneri. Përgatitjet kanë shkuar mirë. Jemi të gatshëm ta japim më të mirën për të arritur fitore”.
Për ndeshjen ndaj Kosovës foli trajneri i Çekisë, Jaroslav Shilhavy, i cili ka thënë se humbja kundër “dardanëve” është e papranueshme për çekët. “Ne nuk pranojmë që të humbasim”, ka thënë fillimisht ai. “Nuk kemi nevojë për motivim, pasi të gjithë e dinë rëndësinë që ka ndeshja për ne. Gabimet që i kemi bërë në ndeshjen e parë nuk besoj se do t’i përsërisim. Nëse nuk fitojmë do të shkonte huq e gjithë puna që kemi bërë. Besoj te lojtarët dhe te të gjithë që janë afër nesh. Na kanë mbetur disa bileta pa shitur dhe besoj se do të shiten dhe do ta kemi përkrahjen e madhe të tifozëve”, ka deklaruar Shilhavy. Çekia renditet në pozitën e dytë në Grupin A me 12 pikë, kurse Kosova është një pozitë më poshtë me 11 pikë. E para e grupit është Anglia me 15 pikë.
Muriqi: Ndiej keqardhje që nuk mund të jem përkrah shokëve
Sulmuesi kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi, nuk mund t’i ndihmojë “dardanët” në ndeshjen kundër Çekisë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”. Ai ka thënë se ndien keqardhje që nuk mund të jetë përkrah bashkëlojtarëve në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për Kosovën. “U uroj sukses të gjithë shokëve të mi për ndeshjen! Njëherësh, ndiej keqardhje që nuk do të mund të jap mund në fushë bashkë me ta në këtë përballje të rëndësishme. Përkrahje e plotë, përherë”, ka shkruar Muriqi në profilin e vet në “Facebook”.
Grupi A
20:45 Çeki – Kosovë
20:45 Angli – Mali i Zi
Tabela
- Anglia 6 15 pikë
- Çekia 6 12
- Kosova 6 11
- Mali i Zi 6 3
- Bullgaria 6 3
/Veton ZYMBERI/