‘Dardanët’ e futsallit fotografohen me cigare, pritet dënimi
Lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës në futsall janë fotografuar në Aeroportin “Adem Jashari” duke pirë cigare. Ky veprim mund t’u kushtojë me dënim nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Përfaqësuesja e Kosovës në futsall të martën është nisur për në Gjeorgji, ku do të marrë pjesë në rundin e parë kualifikues për Kampionatin Evropian të Futsallit “Euro 2022”. Lojtarët e futsallit, të cilët janë grumbulluar për këtë raund kualifikues, janë parë duke konsumuar cigare në ambientet e Aeroportit “Adem Jashari”. Lidhur me këtë sjellje të lojtarëve të Përfaqësueses në futsall, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë se është një gjest i pahijshëm, por se federata nuk mund t’ua ndalojë futbollistëve pirjen e duhanit.
“Me të vërtetë është një gjë e pahijshme. Nuk është në rregull aspak. Lojtarët që prezantojnë Kosovën e që kanë të veshur fanellën e Kosovës assesi nuk lejohet të pinë duhan në vendet publike. Është totalisht e patolerueshme, mirëpo ne nuk mund t’ua ndalojmë atyre duhanin në jetën e tyre private”, ka thënë Salihu për “Kosovapress”. Sa i përket një dënimi të mundshëm për futbollistët të cilët u panë duke pirë duhan, Salihu deklaroi se duhet të bisedohet me përzgjedhësin e Kosovës, Ramadan Cimilin, më pas të vendoset për një gjë të tillë.
Në këto kualifikime “dardanët” e futsallit do t’i luajnë tri ndeshje kundër Austrisë më 29 janar, në orën 16:00, kundër Gjermanisë, më 30 janar, po në orën 16:00 dhe kundër Gjeorgjisë, më 2 shkurt, në orën 22:00.
/Epoka e re/