‘Dardanët’ humbin në ndeshjen për vendin e parë
Përfaqësuesja e Kosovës në futsall e ka mbyllur me humbje rrethin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror për vitin 2024.
Në ndeshjen e fundit të Grupit C, Kosova pësoi nga Armenia, me rezultat 2:1. Kësisoj, pozita e parë në grup i takoi armenëve, me 9 pikë, derisa Dardanët e mbyllën këtë rreth në pozitën e dytë me 6 pikë. Të dy këto kombëtare e siguruan kualifikimin në rrethin e ardhshëm të kualifikimeve (Main Round).
Armenia krijoi epërsi prej dy golash qysh në minutat e para. Fillimisht, në minutën e dytë Melos Kelmendi shënoi autogol, derisa gjashtë minuta më vonë epërsinë e dyfishoi Vitinho. Ndërkaq, më pas përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, Kosova nuk arriti të bëjë përmbysjen e rezultatit, duke u mjaftuar me golin e Melos Kelmendit në minutën e 20-të.