‘Dardanët’ kanë nevojë për përkrahje në përballje me Luksemburgun
Federata e Basketbollit të Kosovës ka bërë thirrje tifozëve të jenë në numër sa më të madh për t’i përkrahur “Dardanët” në ndeshjen e rëndësishme ndaj Luksemburgut, në fazën parakualifikuese të “Eurobasket 2021”.
Ndeshja në mes Përfaqësueses së Kosovës dhe Luksemburgut zhvillohet të mërkurën në Prishtinë. “Dardanët” i kanë pësuar dy humbje në dy ndeshjet e para, fillimisht nga Luksemburgu në udhëtim dhe më pas nga Britania e Madhe në shtëpi.
“Vetëm me tifozët tanë të flaktë do të mund t’ia dalim kundër Luksemburgut. Përkrahja e tifozëve është shumë e rëndësishme për këtë ndeshje të fundit të Kosovës në kuadër të parakualifikimeve për Kampionat Evropian. Ju presim të gjithëve të mërkurën nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë, Prishtinë. Kosova – Luksemburgu, 14 gusht (E mërkurë), ora 20:30, Pallati i Rinisë”, thuhet në njoftimin e FBK-së.