‘Dardanët’ kërkojnë fitoren e parë në rrugën drejt ‘Euro 2024’
Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e fundit para përballjes kundër Andorrës. Kjo ndeshje zhvillohet sot (e martën) në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrrri” në Prishtinë. Atmosfera në radhët e “dardanëve” para këtij dueli është shumë e mirë dhe të gjithë futbollistët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin për ta shijuar fitoren e parë në rrugën drejt realizimit të objektivit madhor – kualifikimit në Evropian. Pas arkëtimit të një pike të rëndësishme si mysafirë në Tel Aviv kundër Izraelit, Përfaqësuesja e Kosovës rikthehet para tifozëve “dardanë”, e gatshme për të dhuruar emocion e spektakël, por edhe për të arkëtuar tri pikët e plota. Në konferencën për media janë paraqitur përzgjedhësi, Alain Giresse dhe sulmuesi Vedat Muriqi. Giresse ka thënë se ekipi i tij vjen në këtë sfidë i motivuar dhe pa asnjë nënçmim ndaj rivalit, por me synim të qartë. “Vijmë nga një rezultat pozitiv dhe do të bëjmë përpjekje që ta ruajmë këtë ecuri pozitive me fitore ndaj Andorrës. Pikën e fituar në Izrael mund ta vlerësoj pozitive, edhe pse kemi mundur ta fitojmë krejt ndeshjen. Andorra autsajder i grupit? Ne nuk e neglizhojmë aspak dhe as nuk e konsiderojmë të dobët. Në këtë garë duhet të tregojmë seriozitet maksimal në çdo ndeshje”, ka theksuar Giresse. I pyetur për zhvillimet e fundit në federatë dhe nëse ka ndikuar kjo gjendje te ekipi ai ka thënë se ai është këtu për ta përgatitur ekipin sa më mirë për lojë dhe jo të merret me çështje tjera. Ndërkaq, sulmuesi “dardan”, Vedat Muriqi ka thënë se kundër Andorrës hyjnë me të vetmin qëllim – fitoren. “Pa e nënçmuar aspak kundërshtarin, në këtë ndeshje nuk mund ta mendoj dot një rezultat tjetër përveç fitores. Nëse duam të kualifikohemi në Evropian atëherë duhet ta fitojmë patjetër këtë ndeshje”, ka theksuar Muriqi.