‘Dardanet’ kryejnë stërvitjen e fundit para ndeshjes me Bullgarinë
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka mbajtur stërvitjen e fundit për ndeshjen kundër Bullgarisë, në kuadër të Ligës së Kombeve, e cila zhvillohet nesër më 1 dhjetor, në orën 13:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Stërvitja u zhvillua në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali.
Futbollistet Edona Kryeziu dhe Elizabeta Ejupi u shfaqën optimiste për ndeshjen kundër Bullgarisë, duke theksuar analizën e kujdesshme të kundërshtarit gjatë këtyre ditëve. Fitorja në këtë takim do t’ia mundësojë Kosovëd avancimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Deklaruan pas stërvitjes:
Edona Kryeziu: Nga fillimi jemi fokusuar për t’i përmirësuar gabimet e ndeshjeve të kaluara në mënyrë që ta fitojmë këtë ndeshje. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe nuk mendojmë për ndonjë rezultat tjetër përveç fitores. Me këtë fitore sigurojmë kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, prandaj është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresoj të dalim me fitore.
Elizabeta Ejupi: Kemi pasur një atmosferë të mirë në kamp, kemi kaluar shumë mirë dhe besoj se jemi gati për ndeshje. Jemi të emocionuara shumë për këtë përballje dhe synimi është fitorja dhe mezi presim ditën e ndeshjes. Kemi shikuar ndeshje të Bullgarisë, kemi bërë analizën me grupin dhe besoj se i kemi shikuar të gjitha gjërat për të qenë gati.