‘Dardanët’ më 25 dhjetor ‘ndezin’ motorët për kualifikime
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll më 25 dhjetor do t’i fillojë përgatitjet për ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2021.
Deri në fund të muajit do t’i ushtrojnë lojtarët e klubeve vendore dhe lojtarët e klubeve evropiane që nuk kanë obligime në atë kohë. Ndërsa më 2 dhe 3 janar ekipi i Taip Ramadanit do të kompletohet. Më 5 dhe 6 janar në Prishtinë i luajmë miqësoret e mirëseardhura me Katarin, kurse më 9 janar është udhëtimi i Përfaqësues për në Itali.
Në kuadër të grupit të tretë, ndeshjen e parë Kosova e zhvillon ndaj Italisë më 10 janar. Një ditë më vonë “dardanët” përballen me Rumaninë, ndërsa më 12 janar me Gjeorgjinë. Ndeshjet luhen në Benevento të Italisë, kurse synimi është i qartë, të ofrohet maksimumi, me shpresë për ta fituar grupin dhe për të kaluar në raundin tjetër.
/Epoka e re/