Dardanët me motiv maksimal për betejën me Zvicrën
Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur seancën e fundit stërvitore në ‘St Jakob-Park’ në Bazel para sfidës së nesërme me Zvicrën në kualifikimet për Euro 2024.
Fitorja nuk është vetëm një dëshirë, por një qëllim i shndërruar në betejë për Dardanët.
Atmosfera e mirë dhe përplot energji pozitive ka qenë pjesë e kësaj seance stërvitore, teksa nga afër futbollistët i ka motivuar edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, megjithë mungesat e rëndësishme, Dardanët shfaqen të vendosur dhe maksimalisht të motivuar për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Stadiumi ‘St Jakob-Park’, i cili pritet të jetë i mbushur me shqiptarë, do të jetë drita që udhëheq shpresat e Dardanëve për fitore dhe për të mbetur me gjasa për kualifikim në Euro 2024.
Para seancës stërvitore përzgjedhësi Primozh Gliha dhe futbollisti Florent Hadërgjonaj kanë dhënë opinionet e tyre në konferencë për media, teksa kanë shprehur bindjen e tyre për një sfidë të vështirë ndaj Zvicrës, por me shpresë për rezultat pozitiv.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Edhe pse në Prishtinë luajtëm baras, ishte një ndeshje shumë e fortë. Ne e mposhtëm Izraelin, por izraelitët treguan se janë të fortë pasi barazuan me Zvicrën. Presioni do të jetë shumë i madh pasi do të kemi përkrahje të madhe të publikut. Nëse duam të arrijmë rezultat pozitiv, duhet të jemi shumë inteligjentë dhe të dimë si të luajmë, sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë”, tha Gliha.
Zvicra ndodhet në një seri pa fitore, por Gliha theksoi se ajo mbetet kombëtare shumë e fortë dhe e rrezikshme.
“Tani jemi në një situatë ku kemi pak gjasa. Por, kjo nuk ndryshon asgjë pasi jam shumë i fokusuar te ndeshja me Zvicrën sikurse ndaj çdo kundërshtari tjetër”, u shpreh tutje Gliha.
Ndërkaq, Florent Hadërgjonaj theksoi se për të personalisht kjo ndeshje është e veçantë, derisa shprehu shpresën për fitore.
“Për mua është ndeshje speciale, pasi kam lindur dhe jam rritur këtu. Nuk do ta harroj gjatë tërë jetës sime pasi do të kem shumë familjarë në tribuna. Nuk do të jetë një situatë e tillë vetëm për mua, por edhe për shumë bashkëlojtarë. Me padurim presim ndeshjen, pasi në stadium do të kemi përkrahje të madhe dhe shpresoj që me një paraqitje të mirë do ta gëzojmë popullin kosovar dhe të gjithë ata në stadium me një fitore”, ka theksuar Hadërgjonaj.