‘Dardanët’ në aksion
Mesfushori Valon Berisha dhe mbrojtësi Florent Hadergjonaj pritet të ndërrojnë skuadër në këtë afat kalimtar për të gjetur më shumë hapësirë për të luajtur, derisa Fenerbahçe e ka në opsion shitjen e sulmuesit Vedat Muriqi në mënyrë që t’i shlyejë disa borxhe.
Kapiteni i Kosovës në futboll, Amir Rrahmani dhe ish-lojtari i Përfaqësueses, Donis Avdijaj, nuk pritet të jenë lojtarët e vetëm që kanë lëvizur apo nënshkruar për një klub tjetër në afatin kalimtar të janarit, pasi rrugës së tyre janë edhe disa futbollistë të tjerë.
Mbrojtësi i dikurshëm i Drenicës nga Skenderaj, Amir Rrahmani, ka bërë hapin më të madh në karrierë, pasi ka ndëshkuar ditë më parë për skuadrën gjigante të Italisë, Napoli. Qendërmbrojtësi deri në verë do ta djersitë fanellën e Veronës e më pas do t’i bashkohet skuadrës së re. Ndërsa futbollisti me tipare sulmuese, Donis Avdijaj, ditë më parë u nda me Trabzansporin për shkak të minutave të paktë dhe firmosi për skuadrën skoceze, Hearts. Lojtari i radhës që pritet të ndryshojë klub është mesfushori Valon Berisha, i cili do të largohet në këtë afat kalimtar nga Lazio dhe karrierën pritet ta vazhdojë në Bundesliga. Lazio ka arritur marrëveshje për kalimin e Berishës në Fortuna Dusseldorf në formë huazimi dhe me të drejtë blerje në fund të këtij edicioni. Berisha për 7.5 milionë euro ishte transferuar nga Salzburgu në skuadrën e italiane, por në Lazio ai nuk arriti të sigurojë një vend të titullarit për faktin se në të shumtën e kohës kishte probleme me lëndime.
Ashtu sikurse Berisha në formë huazimi pritet të ndërrojë klub edhe anësori Florent Hadergjonaj. 25-vjeçari është pjesë e Huddersfield Townit nga viti 2018, por mungesa e minutave në këtë edicion ka ndikuar që ai të vendosë të transferohet në Turqi, përkatësisht në skuadrën Kasimpasa. Ndërsa lojtari më i kërkuar i “dardanëve” në këtë afat kalimtar padyshim se është Vedat Muriqi, i cili këtë sezon ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar tetë herë në 20 ndeshje.
Fenerbahçe ka refuzuar ofertën e Burnleyt dhe Frankfurtit për Muriqin, por gazeta turke “Yeni Safak” raporton se shumë shpejt ofertë për reprezentuesin e Kosovës do të bëjë Manchester Unitedi. “Djajtë e Kuq” kanë probleme në fazën e sulmit pas lëndimit të Marcus Rashford, prandaj janë gati të shpenzojnë 20 milionë funte për ish-futbollistin e Lirisë së Prizrenit.
/Epoka e re/