‘Dardanët’ në kërkim të kualifikimit
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka mësuar kundërshtarët në Rrethin e Tretë Parakualifikues për “EuroBasket 2025”, ndërsa tani fillon puna e misionit të kualifikimit.
“Dardanët” janë në grup me Zvicrën dhe Danimarkën, ndërsa vetëm vendi i parë kualifikohet tutje. Në përgjithësi, Kosova ka 34 ndeshje ndërkombëtare, gjashtë fitore e 28 humbje. “Dardanët” debutuan në vitin 2016 në arenën ndërkombëtare në kualifikimet për “Eurobasket 2017”, ku pësuan dy herë nga Bullgaria, Sllovenia dhe Ukraina.
Në parakualifikimet për Kupën e Botës 2019, Kosova mundi Estoninë dhe Maqedoninë, ndërsa numëronte edhe nga një humbje nga këto dy kombëtare, por u rendit e dyta dhe hyri në kualifikime, që ishte një sukses i jashtëzakonshëm.
Në kualifikime pësoi nga dy herë nga Lituania, Polonia dhe Hungaria. Në kualifikimet për Evropianin 2021, Kosova u mund dy herë nga Rumania dhe Maqedonia, ndërsa për Euro 2023 u përballë me Islandën, Luksemburgun dhe Sllovakinë. Kosova fitoi dy ndeshje, por nuk arriti kualifikimin. Në parakualifikimet e fundit, Kosova mundi Danimarkën, por kishte edhe tri humbje, një herë nga Danimarka, dy herë nga Norvegjia.