‘Dardanet’ nisen për në Wiesbaden
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave do të grumbullohet sot në Wiesbaden të Gjermanisë, aty ku premten në orën 18:00 do ta zhvillojë ndeshjen kualifikuese për “Euro 2021” kundër Rusisë.
Ekspedita e Kosovës me lojtare nga kampionati vendor në krye me anëtaren e KE të FFK-së, Vjollcë Krasniqi dhe përzgjedhësen Afërdita Fazlija është nisur sot në mesditë drejt Gjermanisë, derisa pjesa tjetër e lojtareve do t’i bashkohen grupit në Wiesbaden.
“Dardanet” do t’i zhvillojnë dy stërvitje të mërkurën, si dhe një të enjten. Para nisjes përzgjedhësja Afërdita Fazlija ka theksuar se në Gjermani udhëtojnë me synimin për një prezantim sa më të mirë dhe për rezultat pozitiv, por se janë të vetëdijshme për cilësinë e kundërshtarit. Problem për ekipin e “Dardaneve” paraqet fakti që shumica e lojtareve ende nuk i kanë filluar garat e stinorit pranveror me skuadrat e tyre, derisa edhe kampionati vendor ka filluar vetëm në fundjavën që e lamë pas.
Kosova deri më tash ka zhvilluar tri ndeshje në kuadër të këtyre kualifikimeve, duke realizuar dy fitore e një humbje. “Dardanet” në Wiesbaden shpresojnë ta kenë edhe përkrahjen e madhe të bashkatdhetarëve tanë, të cilët çdo herë në raste të tilla kanë qenë përkrahës dhe motivues të ekipeve tona kombëtare.
Lista e futbollistëve për ndeshjen kundër Rusisë
1.Besarta Leci
2.Modesta Uka
3.Florentina Kolgeci
4.Fjolla Shala
5.Feride Kastrati
6.Edona Kryeziu
7.Donjeta Halilaj
8.Valentina Limani
9.Besarta Hisenaj
10.Flutër Agaj
11.Flaka Aslanaj
12.Besiana Reçica
13.Leonora Ejupi
14.Erëleta Memeti
15.Alberina Syla
16. Blerta Smaili
17.Liridonë Syla
18.Kaltrina Biqkaj
19.Blerta Shala
20.Lavdije Behramaj
21.Fleta Musaj
22. Edona Kastrati
23.Besijana Pireci