Dardanët’ nisin përgaditjet për ndeshjet ndaj Çekisë dhe Anglisë
Kombëtarja e Kosovës i ka nisur sot në mbrëmje përgatitjet për dy ndeshjet tejet të rëndësishme të këtij muaji.
“Dardanët” sfidën e parë do ta kenë më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” ku takohen me Republikën e Çekisë, derisa tri ditë më pas do të përballen me Anglinë në Southampton, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”. Pikërisht ndeshja në Prishtinë do të jetë me rëndësi të madhe, duke pasur parasysh faktin se çekët llogariten si konkurrent direkt të “Dardanëve” për një vend që dërgon në Evropian.
Në stërvitjen e parë përzgjedhësi Bernard Challandes ka pasur në dispozicion 14 futbollistë prej 22 sa i ka ftuar për këto dy ndeshje, derisa pjesa tjetër do t’i bashkohet ekipit në stërvitjen e nesërme. Për herë të parë me Kombëtaren është stërvitur prurja e re, Florent Muslija, derisa pas disa muajsh mungesë për shkak të lëndimit në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” ka zbritur Valon Berisha. Forma e futbollistëve duket e mirë, derisa entuziazmi për këto dy ndeshje vërehet tek të gjithë futbollistët.