‘Dardanët’ nisin përgatitjet për miqësoren me Jordaninë dhe kualifikuesen me Greqinë

08 nëntor 2021 | 21:43

Përfaqësuesja e Kosovës i ka nisur sonte në mbrëmje përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të këtij viti. “Dardanët”, të mërkurën, në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të luajnë miqësore me Jordaninë, derisa katër ditë më pas do të luajnë kundër Greqisë në Athinë, ndeshje e cila do ta përmbyllë ciklin e kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.

Kosova drejtohet nga trajneri slloven, Primozh Gliha, të cilit para stërvitjes së sotme presidenti Ademi i ka uruar punë të mbarë dhe suksese në dy këto dy ndeshje. Në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm 18 futbollistë, teksa Arijanet Muriç dhe Amir Rrahmani, do t’i bashkohen ekipit nga stërvitja e nesërme. Ndërkaq, në këtë grumbullim mungon Elbasan Rashani për shkak të lëndimit, derisa Lirim Kastrati i Legias dhe Bersant Celina i Ipswichit janë liruar nga ky grumbullim me kërkesën e tyre. Në dyshim është edhe ardhja e Zymer Bytyqit, i cili ende është duke i kryer ekzaminimet mjekësore në klubin e tij pas lëndimit të pësuar në fundjavë.

Seanca e sotme nisi me vrapime dhe ushtrime të lehta fizike, teksa më pas përzgjedhësi Gliha punoi më shumë në aspektin taktik, duke ua shpjeguar futbollistëve filozofinë e tij dhe atë çfarë synon nga ekipi në këto dy përballje.

Pas stërvitjes opinionet e tyre për faqen zyrtare të FFK-së i dhanë Valon Berisha dhe David Domgjoni, të cilët u shprehën optimistë se do ta mbyllin vitin me rezultate pozitive, që do t’i shërbenin ekipit si motiv për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, që nis në mars të vitit të ardhshëm.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria e Izmirit ka hapur një hetim për romanin e…