‘Dardanët’, për fitore kundër Luksemburgut

18 shkurt 2021 | 10:57

Kosova, sonte, me fillim nga ora 19:00, do ta zhvillojë përballjen me Luksemburgun. Synim ka fitoren për ta vazhduar pastaj ëndrrën për kualifikim. Por për të arritur një gjë të tillë “dardanët” të shtunën duhet të mposhtin edhe Sllovakinë. Sot (e enjte) zhvillohet edhe përballja në mes të Sllovakisë dhe Islandës.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll sonte (e enjte) do të përballet me Luksemburgun në kuadër të Dritares së Tretë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023. Bordi i FIBA Evropës ka vendosur që të gjitha ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen në Prishtinë, kurse kjo është një përparësi për “dardanët”.

Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, është shprehur se loja pa tifozë është një gjë jo e mirë, por lojtarët duhet ta japin maksimumin për të arritur fitore. “Kemi një ekip të kombinuar mes lojtarëve me përvojë dhe atyre të ri. Jemi duke u përgatitur për të ardhmen dhe njëkohësisht për të tashmen. Kemi dy ndeshje ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë. I kuptojmë vështirësitë me Covid-19, ku lojtarët ende nuk janë 100 % në formë fizike, por u kam thënë djemve se duam të sjellim energji pozitive, sepse përfaqësojmë shtetin, përfaqësojmë Kosovën. Të luash në Kosovë është shumë mirë, por pa tifozë është e tmerrshme, megjithatë lojtarët duhet të mësohen. Pa mbështetjen e tifozëve është sikur të mungojë një element shumë i rëndësishëm në lojën tonë”, ka thënë Marmarinos.

Edhe një nga basketbollistët më të mirë të Kosovës, Drilon Hajrizi, beson në fitore kundër Luksemburgut dhe Sllovakisë. “Stërvitjet kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi cilësi. Gjithashtu, edhe disa lojtarë të rinj janë bashkuar, por edhe disa që na kanë munguar në nëntor na janë bashkangjitur. Kemi cilësi të vazhdojmë tutje. Sa iu përket ndeshjeve, unë jam i bindur se do të angazhohemi maksimalisht, ndërsa sa i përket cilësisë është e barabartë dhe do të vendosin detajet për të kaluar tutje. Fatkeqësisht, pa tifozë, por do të përpiqemi ta shfrytëzojmë përparësinë e terrenit vendas”, ka deklaruar Hajrizi.

Në Grupin B lidere është Islanda me tri fitore dhe një humbje, kurse Kosova dhe Sllovakia kanë nga dy fitore dhe dy humbje, ndërsa Luksemburgu ka një fitore dhe tri humbje. Të gjitha kombëtaret kanë gjasa për kualifikim. Nëse “dardanët” i fitojnë të dyja përballjet, atëherë do të kualifikohen tutje, pa marrë parasysh rezultatet në takimet e tjera.

ORARI

Të enjten takohen:
16:00 Sllovakia – Islanda
19:00 Kosova – Luksemburgu

Më shtunën takohen:
16:00 Luksemburgu – Islanda
19:00 Kosova – Sllovakia

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit…