‘Dardanët’ premtojnë spektakël në ndeshjet e marsit

08 mars 2022 | 13:51

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll këtë muaj do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore, me Burkina Fason dhe me Zvicrën. Tifozët “dardanët” mezi po presin t’i shohin më të dashurit e tyre duke luajtur.

Tifozët besnikë të Kosovës premtojnë spektakël në ndeshjen me Burkina Fason, e cila do të luhet më 24 mars në Prishtinë. Ata njëherësh i ftojnë të gjithë që t’i bashkohen festës në muajin mars, i cili është i veçantë për vendin tonë, pasi konsiderohet si muaj i rezistencës, i lavdisë dhe i krenarisë.

“Dardanët” kërkojnë që të gjithë të kontribuojnë që të rikthehet gjallëria e dikurshme në Kombëtare, e cila e kaloi një vit të zbehtë. “Marsi i rezistencës, lavdisë dhe krenarisë për popullin tonë – na gjen me terminët e ndeshjeve të Përfaqësues së Kosovës. Gjatë këtij muaji, më 24 dhe 29 mars, ekipi ynë përfaqësues do të përballet me dy kundërshtarë në ndeshje miqësore: Burkina Fason në Prishtinë, gjegjësisht Zvicrën në Zurich. Lidhja emocionale e popullit tonë që është karakterizuar me kombëtaren e Kosovës ka bërë që ndeshjet e saj mos ta përçojnë vetëm simbolikën sportive, por të jenë më të vlefshme sesa kaq. Ato gjithmonë kanë ngjallur dashuri, entuziazëm, pasion dhe rikthim të disponimit të përgjithshëm në masë. Pikërisht këto tipare kërkojmë t’i rikthejmë sërish me anë të këtij paralajmërimi, ku ju ftojmë të bëheni pjesë si tifozë e dy ndeshjeve miqësore që na presin në këtë muaj”, thuhet në njoftimin e “dardanëve”.

“‘Dardanët’ në ndeshjen ndaj Burkina Faso premtojnë mbështetje të plotë për djelmoshat tanë në fushë, si dhe organizim e përgatitje që s’do t’i lënë asgjë rastësisë. I ftojmë të gjithë t’ia rikthejmë kombëtares tonë atë shkëndijën e nevojshme, ku klima dhe ambienti i ngrohtë i organizuar nga ne, mundëson që lojtarët ta japin më të mirën prej vetës dhe kësisoj bashkërisht të korrim rezultate të mirëseardhura. Duam ta rikthejmë atë gjallëri ku ndeshjet e kombëtares sonë bëhen temë e ditës për çdokënd, në çdo hapësirë, nga secila shtresë moshe. Ndërkaq sa i përket ndeshjes ndaj Zvicrës, porsa të komunikohet nga FFK pjesa e biletave që do të dalin në shitje, ne do të ju informojmë me kohë për mënyrën dhe kohën e organizimit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e “dardanëve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Blerta Vitaku shpall të pavlefshme diplomën e Gjimnazit "Xhevdet Doda"…