‘Dardanet’ shpresojnë në rezultat pozitiv kundër Sllovenisë
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së kundër Sllovenisë. Kjo ndeshje luhet në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2021”.
“Dardanet” pas humbjes së të premtes nga Rusia (5:0) kanë zhvilluar tri seanca stërvitore. Të parën e kanë mbajtur mëngjesin e së shtunës në Wiesbaden, të dielën kanë stërvitur në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, derisa sonte kanë zbritur në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, aty ku nesër në orën 18:00 do ta zhvillojnë duelin me sllovenet.
Gjatë këtyre dy ditëve përzgjedhësja Afërdita Fazlija me asistentët e saj Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli kanë punuar në aspektin psikologjik me ekipin, në mënyrë që motivi për këtë ndeshje të jetë në nivelin e duhur. Po ashtu, rëndësi e madhe iu ka kushtuar edhe rreshtimit të skuadrës, sidomos në repartin e mbrojtjes, duke pasur parasysh pësimin e lehtë të golave në ndeshjen e kaluar. Do theksuar se për ndeshjen kundër Sllovenisë do të mungojnë Besiana Reçica dhe Flaka Asllanaj, të cilat kanë obligime të provimeve shkollore në vendet ku jetojnë, derisa në kombëtare pritet të debutojë Edona Kastrati.
Të rikujtojmë se ndeshja Kosovë – Slloveni do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK, derisa hyrja në stadium për të gjithë tifozët është falas.