‘Dardanët’ sot udhëtojnë për në Danimarkë, FBK-ja kërkon mbështetjen e bashkatdhetarëve
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ditë më parë e mposhti Zvicrën me rezultat bindës 76-49, në kuadër të Rrethit të Tretë Parakualifikues për “Eurobasket 2025”.
“Dardanët” kanë vazhduar me përgatitje në Prizren, para udhëtimit në Danimarkë, i cili do të bëhet sot (e hënë). Kosova ndeshjen e radhës e zhvillon të mërkurën ndaj Danimarkës, kurse edhe optimizmi në ekipin përfaqësues është mjaftë i madh.
Vetëm vendi i parë kualifikohet tutje. Federata e Basketbollit të Kosovës të dielën iu ka bërë thirrje bashkatdhetarëve në Danimarkë që më 26 korrik të mbështesin ekipin përfaqësues të Kosovës në rrugëtimin e saj drejtë “Eurobasket 2025”.
“Danimarka dhe Kosova do të përballen të mërkurën (26 korrik) në Arena Naestved nga ora 18:00. Basketbollistët e Kosovës presin përkrahje nga bashkatdhetarët që jetojnë në Danimarkë, ashtu si ka ndodhur në të gjitha ndeshjet që kanë luajtur si mysafirë. Ky takim është shumë i rëndësishëm për rrugëtimin e Dardanëve. Ndeshja është e vlefshme për Rrethin e Tretë Parakualifikues për Eurobasket 2025”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Biletat kanë dalë në shitje dhe mund t’i blihen në faqen zyrtare të basketbollit të Danimarkës. Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha ka thënë se ndeshja ndaj Danimarkës od të jetë e vështirë, por synim është fitorja.
“Do të vazhdojmë me këtë sistem. Shkojmë në Danimarkë për ta dhënë maksimumin. Do të jetë më vështirë, por do të shkojmë për të fituar. Do të shkojmë hap pas hapi. Po shpresoj që do të kemi rezultat të mirë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nuk është bërë asgjë me këtë fitore. Na presin edhe tri ndeshje”, ka deklaruar Berisha.