
‘Dardanet’ synojnë fitore ndaj Maqedonisë së Veriut
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka përmbyllur përgatitjet për ndeshjen e parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj ka zhvilluar të enjten seancën e fundit stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali përpara sfidës kundër Maqedonisë së Veriut e cila luhet sot (e premte) në Shkup, në kuadër të Grupit 6 të Ligës C.
Në këtë stërvitje përzgjedhësi Sermaxhaj dhe stafi i tij kanë punuar për hollësi taktike, derisa gjatë tri ditëve stërvitje “dardanet” kanë punuar me përkushtim maksimal për ta nisur këtë cikël me rezultat pozitiv dhe për ta bërë hapin e parë drejt objektivit kryesor – rikthimit në Ligën B. Pas stërvitjes, dy lojtare të Kosovës, Blerta Smaili dhe Djellza Mehmeti, ndanë pritshmëritë e tyre për këtë sfidë.
“Besoj që jemi përgatitur shumë mirë. Kemi ushtruar tri ditë me intensitet. Atmosfera është shumë e mirë në ekip dhe shpresojmë në fitore. I kemi pasur përballë disa herë këta kundërshtarë kohën e fundit dhe kemi fituar, por kjo nuk do të thotë se do të jetë një ndeshje e lehtë. E marrim si çdo ndeshje tjetër me seriozitet maksimal. Synojmë të kthehemi në Ligën B dhe po punojmë për realizimin e këtij objektivi”, ka thënë futbollistja Blerta Smaili.
Për këtë ndeshje foli edhe Djellza Mehmeti: “Është një ndjenjë shumë e mirë. Të kalosh nga grupmosha U19 në ekipin e parë është thjesht ndjenjë e papërshkrueshme. Është kënaqësi dhe privilegj të jesh pjesë e Kombëtares A me këto vajza të mrekullueshme, të cilat kanë treguar sukses. Në bazë të stërvitjeve dhe harmonisë së ekipit, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut”. Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë zhvillohet sot në orën 14:00 në Shkup, ndërsa sfidën e dytë “dardanet” do ta luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Letonisë.