‘Dardanët’, të gatshëm për ndeshjen më të madhe në histori

10 shtator 2019 | 11:31

Kosova në krye me trajnerin zviceran Bernard Challandes sonte e zhvillon ndeshjen ndaj Anglisë e cila është më e rëndësishmja në histori të “Dardanëve”. Ecuria prej 15 ndeshjeve pa humbje dhe fitorja në fundjavë ndaj Çekisë kanë bërë që optimizmi në Përfaqësuesen e Kosovës mos të mungojë edhe për ndeshjen ndaj “Tre luanëve”. Kjo ndeshje i takon Grupit A dhe fillon nga ora 20:45.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka pasur një ecuri fantastike duke regjistruar plot 15 ndeshje pa humbje, por sonte (e martë) e pret testi më i vështirë apo ndeshja më e rëndësishme në histori e saj sepse do të përballet me gjiganten botërore, Anglinë.

Mungesë e madhe për trajnerin Bernard Challandes do të jenë pesë lojtarët e përbërjes së parë Milot Rashica, Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Benjamin Kololli, por optimizmi është për një rezultat pozitiv.

Ylli i “Dardanëve”, Bersant Celina, ka thënë se të gjithë në Kosovë janë të dhënë pas futbollit dhe se ndeshja kualifikuese për Kampionatin Evropian ndaj Anglisë është maksimumi që mund të arrihet. “Kjo është ndeshja më e madhe në historinë tonë. Të gjithë mezi po e presin këtë ndeshje në Kosovë, sepse të luash kundër Anglisë është gjëja më e madhe që mund të arrini në futboll. Do të luajmë kundër një skuadre fantastike, por ne kemi lojtarë të talentuar. Mendoj se Anglia do ta fitojë grupin, por ka shanse edhe për ne dhe kjo është çfarë po tentojmë të bëjmë. Në Kosovë të gjithë janë të dhënë pas futbollit, çdo person, çdo familje, i gjithë vendi. E dimë se të gjithë do ta shikojnë ndeshjen me Anglinë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Celina për “Independent”.

Kosova ka tejkaluar parashikimet për faktin se ka pasur një ecuri pozitive dhe pas fitores në fundjavë ndaj Republikës Çeke pozicionohet në vendin e dytë në Grupin A me 8 pikë. Pavarësisht se Anglia është në mesin e kombëtareve më të mira në botë, trajneri Gareth Southgate ka thënë se përballja me Kosovën është kryesorja për skuadrën e tij në grup. Strategu anglez ka dhënë vlerësim maksimal për paraqitjet e deritanishme të Kosovës në kualifikueset për “Euro 2020”. “Ndeshja me Kosovën është kryesorja në grup, sipas meje. Jam shumë i impresionuar me Kosovën. Është një ekip i organizuar mirë, me lojtarë të mirë. E ka pasionin e një kombëtareje të krijuar së fundi. Rezultati i tyre nuk më ka befasuar aspak. I kam parë që luajnë mirë edhe në ndeshjet paraprake. Me ta duhet të luajmë më mirë se ç’luajtëm me Bullgarinë. Të martën do të jetë një test i mirë për ne”, ka thënë Southgate.

Duhet cekur se ekspedita e Përfaqësueses së Kosovës të hënën ka mbërritur në ishull dhe sonte (e martë) nga ora 20:45 në “St. Mary’s Stadium” do ta zhvillojë përballjen ndaj anglezëve. Gjyqtar kryesor i ndeshjes do të jetë Felix Zwayer nga Gjermania. Ndërsa analisti i futbollit në Kosovë, Genc Sermaxhaj, ka thënë për gazetë se Kosova nuk duhet të dorëzohet ndaj Anglisë. “Duhet të jemi me këmbë në tokë. Humbja një ditë do të vijë, por duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj Anglisë, pasi është superfuqi e futbollit botëror. Në anën tjetër, edhe Kosova nuk duhet të dorëzohet, madje duhet të luajë njëjtë edhe ndaj anglezëve që, së paku, të dëshmohet se nuk jemi rastësisht këtu. Pres një lojë të mirë nga lojtarët e Kosovës. Pse mos t’i shkaktojmë probleme një kombëtare kaq të fortë”, ka deklaruar Sermaxhaj.

Grupi A

20:45 Angli – Kosovë
20:45 Mali i Zi – Çekia

Tabela

  1. Angli 3 9 pikë
  2. Kosovë 4 8
  3. Çekia 4 6
  4. Mali i Zi 4 2
  5. Bullgaria 5 2

Grupi B

20:45 Lituani – Portugali
20:45 Luksemburg – Serbi

Tabela

  1. Ukraina 5 13 pikë
  2. Portugalia 3 5
  3. Luksemburgu 4 4
  4. Serbia 4 4
  5. Lituania 4 1

Grupi H

20:45 Shqipëri – Islandë
20:45 Francë – Andorrë
20:45 Moldavi – Turqi

Tabela

  1. Franca      5 12 pikë
  2. Turqia      5 12
  3. Islanda     5 12
  4. Shqipëria 5 6
  5. Moldavia 5 3
  6. Andorra   5 0

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arber Bytyqi është një grimier i talentuar shqiptar që punon…