‘Dardanët’ të motivuar për ndeshjen ndaj Malit të Zi
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll po vazhdon punën për ndeshjen e së mërkurës ndaj Malit të Zi.
Faqja zyrtare e FHK-së bën të ditur se hendbollistët janë maksimalisht të motivuar dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të ndeshjes.
Selektori Bujar Qerimi nuk ka mundur të udhëtoj nga Belgjika për dy ndeshjet e kësaj jave. Ai pas ndeshjes me Rumaninë doli pozitiv në testin për koronavirus. Ka qëndruar për një kohë i shtrirë në spital dhe tashmë ka marrë veten. Por mjekët ia kanë ndaluar që të udhëtoj nga Belgjika në Kosovë për shkak të shëndetit. Në mungesë të selektorit, stërvitjet po i udhëheq trajneri i parë, Fatmir Muhaxheri.
Me portierë po punon Veton Hajrizi. Selektori Qerimi është në koordinim të plotë me shtabin teknik dhe me lojtarët. Komunikimi përmes video-lidhjeve bëhet rregullisht. Muhaxheri është prej emrave të respektuar të hendbollit kosovar, pasi ka udhëhequr Përfaqësuesen U21 në Botërorin e juniorëve. Tani, në koordinim me selektorin Qerimi, do ta udhëheq Kombëtaren A në ndeshjen më të rëndësishme deri më tani.