‘Dardanët’ U21 fillojnë përgatitjet për ndeshjet me Bullgarinë dhe Izraelin
Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka nisur sot stërvitjet për dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025, kundër Bullgarisë, më 17 nëntor dhe kundër Izraelit, më 21 nëntor. Përzgjedhësi Afrim Tovërlani do të ketë në dispozicion 23 futbollistë për këto dy ndeshje, e ku për shkak të mungesave ka afruar në ekip edhe lojtarë të rinj.
“Na mungojnë Andi Hoti, Arbnor Hasani dhe Milot Abdyli, që kanë qenë herën e kalume, por kjo është mundësi për lojtarët e tjerë që kanë ardhur për të treguar veten. Atmosfera është shumë e mirë. Këta që e duan tokën dardane kanë ardhur me vullnet e dëshirë që të përgatitemi për dy ndeshjet e radhës, e të cilat asnjëherë nuk janë të lehta. Me Bullgarinë luajtëm edhe para tri javësh dhe krejt në fund na u barazua rezultati. Po mendoj se edhe kësaj here gjasat janë të mira, pa i nënçmuar, por këto nuk janë sikurse Gjermania dhe Polonia”, ka theksuar Tovërlani.
Ai tutje ka thënë se nuk është ithtar të flasë për rezultat në prag të ndeshjeve, por ka thënë se ekipi i tij do të japë maksimumin për të arritur rezultat pozitiv.
E optimist për rezultate pozitive në këto dy ndeshje është shprehur edhe Veton Tusha. “Shumica e lojtarëve janë që kanë qenë edhe në grumbullimet e kaluara, por kanë ardhur edhe disa lojtarë të rinj. Shpresoj do të kemi sukses në këto dy ndeshje. Kundër Bullgarisë në ndeshjen e parë na mungoi fati pasi e dominuam lojën, teksa ndikoi edhe kartoni i kuq. Besoj se këtë ndeshje do t’i marrim pikët e plota, sepse jemi edhe më të përgatitur por edhe më të motivuar”, ka thënë Tusha.