‘Dardanët’ vazhdojnë përgaditjet për ndeshjen me Çekinë
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sonte stërvitjen e dytë në prag të ndeshjeve për kualifikimet “Euro 2020” kundër Çekisë më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe kundër Anglisë, më 10 shtator në Southampton.
Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Bernard Challandes kishte në shërbim të gjithë futbollistët në të cilët llogaritë për këto dy takime shumë të rëndësishme.
“Dardanët” punuan me intensitet të lartë, derisa atmosfera në ekip është shumë e mirë. Gjatë 90 minutave stërvitje Challandes dha këshillat e tij për lojën që duhet aplikuar kundër ekipit çek, teksa provoi edhe skema të ndryshme taktike, duke filluar nga vija e fundit e deri në fazën ofanzive.
Gjendja e të gjithë futbollistëve është shumë e mirë dhe fatmirësisht intensitetit e stërvitjes së sotme e kanë kaluar pa problem që të gjithë. Stërvitjen e sotme nga afër e ka ndjekur edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri.