‘Dardanët’ vazhdojnë përgatitjet me intensitet, takojnë tifozët pas stërvitjeve
Kombëtarja e Kosovës është duke u përgatitur intensivisht për dy ndeshjet e rëndësishme të këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Përzgjedhësi Primozh Gliha ka shfrytëzuar seancën e sotme për një ndeshje testuese. Ai ka ndarë futbollistët në dy ekipe për të vlerësuar formën e secilit dhe për të zbatuar në fushë taktikën e duhur për ndeshjen e ardhshme me Zvicrën.
Ndërkohë tifozët e pasionuar të Kombëtares kanë pasur mundësi për të qëndruar pranë e për të takuar yjet e tyre të preferuar. Ata kanë bërë foto dhe kanë marrë autografe si kujtim nga ky moment emocionues me futbollistët dardanë. Kjo njëherësh është një shenjë e fortë e bashkëpunimit mes tifozëve dhe futbollistëve tanë.
Tifozët uruan futbollistët që Kombëtarja të shfaqë në vazhdim paraqitje të mira në këto ndeshje të rëndësishme për Euro 2024.
Për të vazhduar përgatitjet, Dardanët do të zhvillojnë stërvitjen e radhës nesër në orën 11:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Jemi duke u përgatitur për Zvicrën. E dimë që është kundërshtare e fortë. Kemi zhvilluar dy ditë stërvitje intensive, për t’iu përshtatur ritmit të lojës dhe të caktojmë sistemin se si do të futemi në ndeshje. E kemi analizuar Zvicrën. Kanë qenë dy stërvitje të mira. Ekipi është në fokus, pasi e dimë që Zvicra është kundërshtare e fortë dhe do të jetë ndeshje e vështirë. Por në futboll të gjithë e dimë se gjithçka është e mundur. Nëse organizohemi mirë dhe japim maksimumin, ekziston mundësia për të nxjerr një rezultat pozitiv. Kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër e që do të na përkrahin edhe ata. Të gjithë e dimë se stadiumi do të jetë i mbushur dhe do të ketë atmosferë të mirë, por sigurisht se do të jetë edhe një ndeshje e vështirë. Të gjithë e dimë këtë. Ne do të mundohemi për një rezultat pozitiv. Atmosfera është e mirë në grup, trajneri fokusin e ka tek ekipi, jo zhurma përreth. Falënderojmë ‘Dardanët’, por edhe të gjithë që na mbështesin dhe na shikojnë në çdo ndeshje. Besojmë se do t’i kemi mbështetës edhe në ndeshjet e ardhshme”.