‘Dardanët’ zhvillojnë stërvitjen e fundit para udhëtimit në Bazel
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore në Hajvali para udhëtimit për në Bazel, ku të shtunën do të përballet me Zvicrën, në ndeshjen e parafundit në kuadër të Grupit I për kualifikimet “Euro 2024”.
Ndonëse me gjasa të vogla për kualifikim, matematikisht Dardanët ende janë në lojë për të siguruar një biletë për Evropianin që do të mbahet në Gjermani, pas barazimit të mbrëmshëm të Zvicrës me Izraelin, por për t’i arritur këtij qëllimi përveçse duhet fituar dy ndeshjet e fundit, duhet që Zvicra dhe Izraeli të mos fitojnë pikë ndaj Rumanisë.
Gjithsesi, “Dardanët” janë të motivuar maksimalisht për dy ndeshjet e fundit të këtij cikli kundër Zvicrës dhe Bjellorusisë dhe do të mundohen që të krijojnë seri të rezultateve pozitive.
Gjatë seancës së sotme përzgjedhësi Primozh Gliha dhe ndihmësit e tij kanë punuar kryesisht në aspektin taktik, teksa motivi për duelin me Zvicrën është maksimal, duke ditur edhe mbështetjen e madhe që pritet ta kenë “Dardanët” nga bashkëatdhetarët tanë atje.