DARDHA – FSHATI TURISTIK, MUZE NË NATYRË

08 qershor 2020 | 11:32

Shkruan: Berat Luzha

Një fshat, që ka emër karakteristik e që të ngjallë kurreshtjen ta njohësh nga afër, qoftë përmes leximit apo edhe për ta vizituar, është Dardha. Për të shkuar në Dardhën turistike kalohet qyteti i Korçës dhe, pas pak, një rrugë të kthen në të majtë, e cila, pasi lëshon fushën e Korçës, ngjitet kodrave të malit të Moravës për të zbritur në Dardhë.

Dardha është një fshat në rrethin e Korçës, 19 km nga qyteti dhe 185 km nga kryeqyteti, në lartësi mbidetare prej 1344 m. Është fshat i themeluar në thellësi të malit të Moravës para 300 vjetësh prej atyre që kishin ikur nga pushtuesit otomanë se nuk kishin pranuar ta ndërronin fenë. Me të arritur, sipas gojëdhënës, kishin gjetur strehë te një stan, mbi të cilin kishte një dardhë të egër. Emri i fshatit kishte marrë formë nga togfjalëshi “Te stani nën dardhë”, duke u modifikuar si “Në Dardhë”, “N’Dardhë” dhe “Dardhë”. Për herë të parë u gjet emri i fshatit në një enciklopedi greke, ku thuhet: ”Në Dardhë, fshat shqiptar, u hap shkolla greqisht në vitin 1768”.

Fshati malor, me reliev shumë të thyer e të rrëpinjtë, me rrugët me kalldrëm e me shumë kroje, është bërë i njohur edhe për natyrën shumë të bukur dhe për ajrin e klimën e shëndetshme, për traditat dhe për njerëzit e shquar. Në fillim të shek. XX, rreth vitit 1913, Dardha kishte 400 shtëpi, të ndërtuara prej guri sipas një modeli të veçantë arkitekturor, të cilat i jipnin fshatit pamjen e një qyteze. Numri i popullsisë tash ka rënë shumë, për shkak të ikjes në emigracion në këto 30 vjetët e fundit. Thuhet se në fshat sot ka rreth 110 shtëpi, por vetëm 12 familje jetojnë gjatë tërë vitit në të, të tjerët janë banorë sezonal. Prandaj, në fshat nuk ka fëmijë, kur s’ka fëmijë, s’ka nxënës, kur s’ka nxënës s’ka as shkollë.     

Terreni i vështirë malor i ka detyruar banorët e Dardhës, në të kaluarën e largët, të merren me punë të rënda, sidomos si druvarë. Sharrat e dardharëve punonin, gjatë shek. XIX, deri në Olimp, në Athos, në Demir-Kapi, në Anadoll, në Bullgari etj. Emigrimi i dardharëve edhe sot është shumë i madh, sa nuk ka familje pa një e më shumë anëtarë në kurbet. Por, vendin e dardharëve të vjetër, të ikur në kurbet, gjithnjë e më shumë po e zënë “dardharët e rinj”, të kamurit, kryesisht biznesmenë, politikanë, gazetarë…

Porse sot për Dardhën duhet të flasim vetëm për turizmin, sepse turizmi është veprimtaria e vetme ekonomike në fshat. Flasim kryesisht për turizmin familjar, pasi pothuaj të gjitha shtëpitë e fshatit janë vënë në disponim të turistëve. Gjithashtu, ka dy hotele moderne dhe lokale të ndryshme hoteliere e turistike me standarde të larta të shërbimit e të vendosjes. Zhvillohet, në një masë, edhe turizmi malor dhe ai sportiv – dimëror, pasi Dardha, me pistën e skive, gjatë dimrit është një vend ideal për skijim. Si fshat malor, është bërë traditë edhe pikniku një apo dyditor, kryesisht fundjavëve, me mysafirë të ardhur nga Korça apo fshatrat e fushës.

Dardharët njihen për specialitetet autoktone, për lakrorin me dy petë të pjekur në saç dhe për rakinë e kumbullave të egra, dy herë e pjekur. Janë të njohur edhe për konservimet e ushqimeve, për turshitë e pastermat. Gjithashtu, specialitet është mishi i pjekur dhe petullat.    

Përveç gatimeve tradicionale, Dardha njihet edhe për trashëgiminë e pasur kulturore, arkitekturën e veçantë të shtëpive prej guri. Trashëgimia etnografike dhe shpirtërore shpërfaqet përmes këngëve e valleve, sidomos të “valles dardhare”, si dhe për kostumet karakteristike dardhare. Krejt kjo pasuri përmblidhet, në njëfar forme, në muzeun e pasur e të ruajtur mirë të fshatit. Në muze janë të ekspozuara fotografi dhe eksponate tjera që tregojnë historinë e pasur të fshatit në kohëra të ndryshme, foto që janë bërë nga vet dardharët. Të theksojmë se Dardha, në historinë e saj, kishte 12 fotografë, që nga i pari, Jani Zengo, deri te i fundit, Leon Çika. Pos fotografëve, fshati kishte edhe 24 piktorë ikonografë, që vepruan në shek. XIX deri në fillim të shek. XX.

Dardha ka peisazhe shumë tërheqëse dhe të llojllojshme në natyrën me lartësi të konsiderueshme mbidetare: Ajo grishë vizitorë në çdo stinë e në çdo kohë. Pos natyrës, janë kurorat e pyjeve shumëngjyrëshe, janë rrugicat e ngushta e të rrëpinjta me kalldrëm, janë shtëpitë prej guri e me çati pllakash guri, janë oborret plot me lule, janë portat me motive artistike, janë shumë burime – çezma të ndërtuara bukur… Të theksojmë se dikur në Dardhë kishte rreth 100 burime, disa prej të cilëve ekzistojnë edhe sot. Në mesin e këtyre burimeve është edhe kroni me emër interesant, “Uji i qelbur”, që është një ujë me veti shëruese për stomakun dhe veshkat. Pastaj, janë edhe njerëzit – dardharët, të përmendur për mikpritje e bujari. Është edhe rregullsia e ndërtimeve, pastërtia e rrugëve dhe planimetria e fshatit, që të befasojnë. Kështu, Dardha mbetet nga vendet më të parapëlqyera për turistët në Shqipëri. Dardha mbetet një muze në natyrë, që duhet vizituar, por është ideale edhe për të pushuar. Gjatë këtyre dy dekadave të fundit fshati është kthyer në një qendër të rëndësishme turistike, e vizituar nga turistë të shumtë, të ardhur, jo vetëm nga Shqipëria, por nga shumë vende të botës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri  i Kosovës, Avdullah Hoti është takuar me shefen e…