“Darka e gabuar”, roman që ta mban frymën pezull

01 shkurt 2021 | 08:10

Albert Mustafa

Një darkë krejtësisht e pazakontë, me një mister, është subjekti i romanit “Darka e gabuar”. Ndonëse e bazuar në një ngjarje të vërtetë, që ka trazuar vite më parë një qytet të tërë, dhe ndonëse e hetuar për një kohë tepër të gjatë, herë haptas  e më së shumti në fshehtësi, e vërteta e darkës ka mbetur ende sot e pashpjeguar plotësisht.  Çfarë ka ndodhur në atë darkë? Çfarë qenë e  vërteta nga ajo që është treguar më pas prej njërës palë, të zotëve të shtëpisë, e prej palës tjetër, të ftuarve?

Linja e parë tematike

Si edhe në romanet e tjera të Kadaresë të cilat kanë ulur lexuesin e kalitur  pranë librit, e që kryesisht kanë trajtuar tema me interes, ato të vendit të tij Shqipërisë, realisht, problemet e Shqipërisë me pushtuesit, edhe romani “Darka e gabuar”  i Kadaresë  jep një version të tij të ngjarjes, rreth misterit të darkës dhe  pushtimin e vendlindjes së autorit (Gjirokastrën) nga nazistët gjermanë. Edhe nazistët gjermanë nuk priten me lule nga shqiptarët. Ata, porsa arrijnë në kufi, goditen nga partizanët, e kjo shkakton acarim të gjendjes ku nazistët, si hakmarrje vendosin ta shkatërrojnë Gjirokastrën. Personi kryesor për ta pushtuar Shqipërinë ishte caktuar Fritz Wan Schwabe, i cili sa ishte student kishte në atë klasë dr. Gurameton e Madh, sipas Kadaresë, një kirurg më i njohur i qytetit. Dr. Gurametoja i Madh e thërret Schwabe në takim (darkë). Në atë ndejë mbizotëron atmosferë e mirë. Dëgjohet edhe muzikë. Por, qytetarët ishin shqetësuar se si kirurgu më i njohur thërret në takim pushtuesin.

Linja e dytë tematike

Në këtë roman trajtohet edhe tema  e prishjeve të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe shtetit osman, për arsye se Shqipëria ka zgjedhur për alfabet të gjuhës shqipe alfabetin latin e jo atë turk.

“Darka e gabuar” lidh dy njerëz dhe dy kohë historike. Me një anë doktor Gurameton dhe komandanti i divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schwabe, mbajtës i Kryqit të Kuq, në anë tjetër “Shqipëria gjermanike” me atë komuniste. Kalimi “miqësor” i gjermanëve nazistë në Qytetin e Jugut lidhet me darkën në fjalë që patën dy miqtë e vjetër të shkollës dhe që u bë e “gabuar” sepse fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e personazhit.

Në muajin shkurt arrestohen dr. Gurameto i madh dhe Gurameto i vogël. Ata arrestohen në mesnatë, kurse dërgohen në të njëjtin burg. Nga “shteti demokratik proletar” këta akuzoheshin për vrasjen e pacientëve gjatë operacioneve kirurgjike. Lista e të vdekurve ishte e gjatë dhe e të gjitha ngjyrimeve, si: përkrahës të komunizmit, të mbretërve, kombëtarëve apo asnjanësve. Guva e Shanishasë, vend për të cilin flitet nga të gjithë, por askush nuk e kishte parë se çka ishte me të vërtetë, flitej se do të kthehet në muze, se do të mbyllej, se do të bëhej qendër e hetuesisë së përgjithshme. Besohej nga të gjithë se ajo ishte vendi më i thellë dhe më i frikshëm i burgut të qytetit. Pikërisht në këtë vend sillen dy doktorët.

Dr. Gurameto i madh dhe Gurameto i vogël, pasi u lanë të lirë nga akuzat për vrasje të pacientëve, ata tash merren në pyetje nga hetuesia për darkën e 16 shtatorit 1943. Hetuesit ia përsëritën se duan të dinë gjithçka, çfarë ka ndodhur në atë darkë. Dr. Gurameto përshkroi pjesëmarrësit, atmosferën me muzikë dhe shampanjë dhe nuk foli rreth lirimit të pengjeve. Hetuesit nuk ishin të interesuara për këto informata. Atyre u intereson ajo që nuk dihet, enigma. Doktori përsërit që nuk ka enigma.

Linja e tretë tematike

Lindja e tretë tematike është  deklarata e dr. Gurametos, se një ndër personat që u lirua atë natë ishte dr. Jakoel, farmacist hebre. Ai ishte këmbëngulës që mos të japë informata rreth darkës së 16 shtatorit, pa marrë parasysh kërcënimet nga hetuesit. Dihet mirëfilli që një pjesë e hebrenjve të përndjekur nga nazistët gjermanë janë strehuar në Shqipëri “në besë të vendasve”, thënë ndryshe, të paprekshëm. Sipas dr. Gurametos, fitorja e madhe e darkës së 16 shtatorit ishte lirimi i pengjeve, ku popullit vendës iu zbut pakëz zemra. Nga ky rast nuk u quajt dr. Gurameto tradhtar.

Personazhet kryesore

Dr. Gurameto i madh, kirurg-gjinekolog, dr. Gurameti i vogël, Grosse Herr, oficer i Stasit, policisë së fshehtë të Gjermanisë Lindore, Vehip Qorri, hetues, Shaqo Mezini, djalë i qytetit, Arian Ciu, djalë i qytetit, Ali Pashë Tepelena, udhëheqës shqiptar, Fritz won Schwabe, mbajtës i kryqit të hekurt, Jakoel-hebre, Izraelit, i burgosur në Shqipëri,  Klaus, Shaqo Bej Kokëboja, Bufe Hasani, Dan Veremi, rojtar i natës i Institutit të Higjenës, Xivo Gavo, kronist i vjetër, Ganimete, Nermino Fico, Sebeko, Mudades Janina, Mbreti Zog, Benito Musolini, Viktor Emanueli, Adolf Hitler, Stalini etj.

Toponimet

Ngjarjet kryesore në romanin “Darka e gabuar”, shkruar në verë-dimër 2007-2008 në Malin e Robit (Durrës), Lugano, Paris, kryesisht zhvillohen në këto vende: Gjirokastër, Rruga e Varoshit, Guvë e Shanishasë, Shkolla Xherxhinski, Tirana etj. Romani ka 206 faqe të ndarë, trembëdhjetë krerë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas Agjencisë së Barnave të Danimarkës, vendi ka porositur 41,6…