Darmanoviq: Për Malin e Zi çështja e demarkacionit ka përfunduar
Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq në një intervistë për “KTV” ka thënë se tashmë marrëveshja është vetëm çështje e brendshme e Kosovës.
“Ne pjesën tonë e kemi mbaruar, meqë në marrëveshje ndërkombëtare këto çështje shkojnë ashtu. Kështu që demarkacioni tashmë ka mbetur çështje e brendshme e Kosovës. Parlamenti i Malit të Zi asnjëherë në jetë nuk ka zhvleftësuar një marrëveshje të arritur ndërkombëtare, kështu që kjo s’do të ndodhë as tani”, ka thënë Darmanoviq.
Mali i zi vazhdon të besoj në, siç tha ai, “kapacitetin demokratik të institucioneve kosovare dhe nuk kemi kurrfarë interesi që të shkaktojmë kurrfarë presioni lidhur me këtë”.
Tutje ministri malazez deklaroi se nuk shohin zgjidhje dytësore.
“Marrëveshja e përmendur është nënshkruar në bazë të ish-kufirit administrativ brenda SFRJ-së dhe përfundimit të Komisionit për demarkacion dhe askujt s’i kishte shkuar ndërmend që brenda kësaj të ndryshojë ose manipulojë diçka. Ky është njëfarë versioni shtesë tani në fuqi në Kosovë dhe besojmë se ajo është motivuar nga betejat e brendshme politike atje dhe në fund ashtu edhe do të zgjidhet. Andaj nuk duam që të komplikojmë situatën”, ka thënë ai.
“Po”, tha ai i pyetur nëse kjo çështje ka mbaruar për Malin e Zi.
Darmanoviq u beson dy komisioneve paraprake, atij shtetëror dhe ndërkombëtar.
“Unë jam i sigurt që komisionet që kanë punuar në këtë, përfshirë edhe ekspertë nga të dyja palët, Kosova e Mali i Zi, e kanë parë këtë mirë dhe askush nuk deshi të dëmtojë askënd, andaj them se duhet qëndruar kësaj. Këto arsye janë ato që dolën jo edhe aq nga vetë hartat, sepse ka të ndryshime, por për arsye tjera, fillimisht ato të brendshme në Kosovë dhe thjesht ne kemi ndjekur vetëm atë që ishte përfundimi i Komisionit të Badinterit dhe kufijve në ish-Jugosllavi. Me këta kufij jetuam gjatë dhe s’kishte telashe besoj se s’do të ketë as tani”, përfundoi ai.