DASh-i kritikon sulmin e Vuçiqit ndaj Josephit
Nuk ka vend në shoqëritë demokratike për taktikat e njollosjes kundër qytetarëve, sikurse ato që janë përdorur ndaj Edward Joseph, ka shkruar në “Twitter” Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh) për Evropën dhe Azinë.
Përveç këtij njoftimi, Joseph ka publikuar edhe deklaratën ku ai ka theksuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka bërë akuza serioze dhe të pabaza ndaj tij gjatë një paraqitjeje të liderit serb në një televizion në Serbi më 30 dhjetor.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka shtuar se zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile promovojnë llogaridhënien dhe transparencën.
“Ne vlerësojmë ata që ndërtojnë shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë DASh-i.
Ky postim në “Twitter” është shoqëruar me një fotografi të Josephit me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar.
Më 30 dhjetor, gjatë një paraqitjeje në televizionin “Prva”, Aleksandër Vuçiq, e quajti Edward Josephin, – ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-kreu i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – “bot shqiptar” lidhur me atë që Joseph kishte deklaruar një ditë më parë në një intervistë dhënë për “Radion Evropa e Lirë”.
Duke e quajtur “bastard” Josephin, Vuçiq po ashtu deklaroi për televizionin serb se ky ekspert i Ballkanit merr “shumë para nga lobi shqiptar”.
Presidenti serb nuk ka ofruar dëshmi për këto pretendime.
Çfarë tha Joseph në intervistë dhe pas deklaratës së Vuçiqit?
Gjatë intervistës për “REL”-in, mes tjerash, Joseph potencoi se sa i përket barrikadave të ngritura nga një grup i serbëve lokalë në veri të Kosovës, që bllokuan rrugët për pothuajse tri javë, Vuçiqi “po manipulonte Shtetet e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian”.
Ai po ashtu ka theksuar se qetësia në Kosovë, pas heqjes dorë nga barrikadat, do të zgjasë “deri kur Aleksandar Vuçqi të vendosë se i duhet një krizë e re në Kosovë”.
Pas akuzave të Vuçiqit, Joseph ka shkruar në “Twitter” se ato janë “krejtësisht të rreme” sa i përket lidhjeve të pretenduara financiare mes tij dhe “lobit shqiptar”.
“Alekskandar Vuçiq nuk ka dëshmi për t’i mbështetur këto akuza serioze sepse lidhje të tilla nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë. Qëndrimet e mia janë produkt i dhjetëra viteve në terren – në të gjitha konfliktet në Ballkan, përfshirë edhe vitet e luftës”, ka shkryar Joseph.
Ai ka shtuar se duke e ofenduar dhe sulmuar personalisht atë, Vuçiq tregoi edhe një herë karakterin e tij.
“‘Nepristojan’ është një fjalë e sjellshme serbe për sjelljen ngacmuese të Vuçiqit. Diplomatët duhet të respektojnë zyrën e presidentit serb. Banorët? Jo dhe aq”, ka theksuar Joseph.