DASh-i mbështet aksionin policor të Shqipërisë në kampin e opozitës iraniane
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh) ka përkrahur aksionin policor të Shqipërisë, kur Policia e Shtetit ka kryer kontrolle në kampin e Manzës së Durrësit, ku janë të strehuar rreth 3 mijë pjesëtarë të opozitës iraniane.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka konfirmuar se gjatë këtij aksioni ishin lënduar 15 zyrtarë policorë dhe 21 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).
“Policia e Shtetit në Shqipëri na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Zëdhënësi i DASh-it ka thënë se ShBA-ja nuk e cilëson MEK-un “lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian”, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”, raporton “Rel”.
Ndërsa drejtori Rrumbullaku, ka thënë se kur kishte nisur kontrolli i të gjitha objekteve brenda kampit, kur janë konstatuar paligjshmëri, salla serverash dhe pajisje kompjuterike, ka nisur rezistenca e anëtarëve të MEK-ut. Zyrtarët e Shqipërisë nuk kanë bërë me dije se çfarë hetimi po kryen SPAK-u ndaj anëtarëve të MEK-ut.
Sipas njoftimit, Policia e Shqipërisë, kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), ka thënë se një person ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka thënë se vdekja e një personi brenda MEK-ut, të martën, nuk ka asnjë lidhje me veprimet e policisë.
I pyetur nëse fshihen iranianët e MEK-ut pas sulmeve kibernetike që janë kryer në korrik të vitit të kaluar, që çuan në prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin, ministri Çuçi ka refuzuar të përgjigjej.
Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3 000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).
Por, zëdhënësi i DASh-it, ka theksuar se ShBA-ja nuk ofron mbështetje apo trajnime për MEK-un dhe nuk kontribuon në financimin e kësaj organizate.
Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi ka fajësuar Iranin se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ka ndodhur në korrik të vitit 2022.
Ndërsa një vit më parë është anuluar, për arsye sigurie nga kërcënime terroriste, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit.