DASh-i: Sanksionet, mjet për ta çrrënjosur korrupsionin në Ballkanin Perëndimor
Sanksionet janë një mjet i rëndësishëm për të çrrënjosur korrupsionin në shtetet e Ballkanit Perëndimor, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
Ai këto komente i ka bërë pasi Departamenti Amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj prokurores së Shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, Diana Kajmakoviq.
Price ka thënë se një prej qëllimeve të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor është që punojë me qeveritë për të luftuar korrupsionin.
“Sanksionet do të mbeten një mjet i rëndësishëm, por jo mjeti i vetëm i rëndësishëm kur bëhet fjalë për rajonin dhe për qëllimin tonë. Këtë qëllim ne e ndajmë me qeveritë dhe banorët e këtij rajoni, pra për të çrrënjosur korrupsionin”, ka thënë ai.
Sipas njoftimit të Thesarit, Kajmakoviq është sanksionuar për shkak të “cenimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe sundimit të ligjit” në Bosnjë e Hercegovinë.
Kajmakoviq është zyrtarja e fundit në serinë e disa zyrtarëve në Bosnjë e Hercegovinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor që janë sanksionuar nga ShBA-ja.
Në prill të këtij viti, ShBA-ja ka vendosur sanksione ndaj shtatë personave, që u thanë se kanë qenë të përfshirë në vepra korruptive. Në mesin e tyre ishin dy shtetas të Shqipërisë, dy zyrtarë të Bosnjë e Hercegovinës, një të Malit të Zi dhe dy në Maqedoninë e Veriut, përfshirë ish-kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski.
Po ashtu, gjatë vitit të kaluar, ShBA-ja ka sanksionuar edhe disa zyrtarë të Bosnjë e Hercegovinës, por po ashtu zgjeroi sanksionet ndaj liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për vepra korruptive.
Dodiku fillimisht ishte sanksionuar nga ShBA-ja më 2017.
Po ashtu, në dhjetor të vitit 2021, Departamenti Amerikan i Thesarit, sanksionoi shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Serbët e sanksionuar janë: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq.