DASh: Inkurajohemi që institucionet e Kosovës do të shqyrtojnë rastin me shtetasit turq
03 prill 2018
| 16:21
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), duke komentuar për incidentin e fundit në mes të Kosovës dhe Turqisë, i ka thënë “Zërit të Amerikës” se ShBA-të janë të inkurajuara për faktin që institucionet shtetërore të Kosovës kanë njoftuar vendosmërinë e tyre për të shqyrtuar këtë ngjarje dhe për të përmirësuar garancitë procedurale për mbrojtjen e të drejtave në bazë të procesit ligjor.
Transparenca dhe angazhimi ndaj procesit të rregullt ligjor dhe sundimit të ligjit, ka thënë zëdhënësi i DASh-it, janë jetike për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për aspiratat euroatlantike.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka bërë me dije se për pyetje të tjera t’u drejtohet qeverive të Kosovës dhe Turqisë.