DASh kërkon urgjentisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike për Asociacionin
Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të “punojnë seriozisht” në normalizimin e marrëdhënieve dhe në këtë drejtim “urgjentisht” të zbatojnë obligimet e ndërmarra e ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave të populluara me shumicë serbe.
Kështu ka thënë një zëdhënës i DASh për gazetën serbe që operon në Shtete të Bashkuara të Amerikës – “The Pavlovic Today”.
“Ne kemi qenë të qartë në qëndrimin tonë për këtë: Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,” tha zëdhënësi.
“Ne përsërisim thirrjet tona për të dyja vendet që të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht drejt këtij qëllimi dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet e tyre të Dialogut, të cilat përfshijnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.