DASH: Korrupsioni, problematikë për luftimin e trafikimit me njerëz në Kosovë
Qeveria e Kosovës nuk përmbush plotësisht minimumin e standardeve për eliminim të trafikimit, mirëpo e njëjta është duke bërë përpjekje të theksuara në këtë drejtim. Kështu thuhet në raportin e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, që ka analizuar rastet e trafikimit të qenieve njerëzore në shumë vende të botës.
Të gjeturat janë prezantuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pomepo, i shoqëruar nga Ivanka Trump, këshilltarja e presidentit amerikan, Donald Trump.
Në raportin e vitit 2018, janë përfshirë 187 shtete dhe territore, në të cilat janë vlerësuar përpjekjet e qeverive në gjithë botën për të luftuar trafikimin, si dhe janë analizuar strategjitë e secilit vend veç e veç për të adresuar këtë krim dhe për të mbrojtur viktimat.
Sa i përket Kosovës, e cila është listuar në kategorinë e dytë nga katër sa janë gjithsej, varësisht nga shkalla e luftimit të kësaj problematike, përmendet se autoritetet e Kosovës kanë shtuar masat në luftimin e kësaj dukurie, në krahasim me periudhën e fundit të raportimit.
Gjatë kësaj periudhe kohore përmendet se Qeveria ka identifikuar 32 viktima të trafikimit përkatësisht, 25 gra dhe tre meshkuj, në krahasim me 36 persona, sa ishin raportuar më 2016.
Në mesin e tyre, 18 raportohet se janë subjekt i trafikimit seksual, shtatë kanë kryer punë të detyrueshme, tre prej tyre kanë kërkuar lëmoshë, derisa katër të tjerë janë cilësuar si “të nënshtruar plotësisht”.
Nga 32 viktimat e raportuara, 19 prej tyre janë fëmijë.
Raporti tregon se 25 viktima janë identifikuar nga Kosova, pesë nga Shqipëria, një nga Filipinet dhe një tjetër nga Moldavia.
Edhe në këtë raport, Kosova është cilësuar si vend burim dhe destinacion për burrat, gratë dhe fëmijët që janë pre e trafikimit apo që kryejnë punë të detyrueshme.
Numri më i madh i viktimave seksuale përbëhet nga vajzat, derisa theksohet se grupet kriminale në Kosovë detyrojnë gratë nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe shtete tjera që të merren me prostitucion nëpër banesa private, klube nate dhe salla të masazheve.
Kur përmenden fëmijët, të gjeturat tregojnë se të rinjtë nga Kosova, Shqipëria dhe shtete tjera fqinje detyrohen të kërkojnë lëmoshë brenda shtetit, duke përmendur pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, si personat më të prekur nga ky lloj i trafikimit.
Ndër të tjera thuhet edhe se korrupsioni në nivelet qeveritare krijon një ambient që mundëson kryerjen e disa krimeve, duke përmendur raste kur disa zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të qeverisë janë akuzuar apo dënuar për krime të kryera në fushën e trafikimit.
Sa i përket angazhimit qeveritar përmendet se Qeveria e Kosovës, ka prezantuar disa udhëzues për të identifikuar viktimat, si dhe për kryerjen e përbashkët të hetimeve me inspektorët e punës, prokurorët, dhe punonjësit social.
Gjatë kësaj periudhe po ashtu është vërejtur se, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka emëruar një koordinator të posaçëm për rastet e trafikimit si dhe është krijuar një bazë e re e të dhënave për të monitoruar rastet në fjalë.
“Pavarësisht këtyre masave, gjyqtarët kanë vënë dënime të ulëta për trafikuesit dhe prokurorët kanë vazhduar të cilësojnë rastet e trafikimit si krime më të vogla”, thuhet në raport.
Për më shumë, vlerësohet se Qeveria ka zvogëluar fondet për organizatat joqeveriare që kanë strehuar viktimat, gjë që ka rezultuar me mbylljen e një strehimoreje përkohësisht.
Raporti u rekomandon autoriteteve të Kosovës, të hetojnë, ndjekin penalisht dhe të ndëshkojnë trafikantët me dënime të ashpra.
Për më tepër, personat kompetentë për këtë fushë, udhëzohen që të emërojnë prokurorë të veçantë për rastet e trafikimit, të rritet përkrahja qeveritare për organizatat që strehojnë viktimat si dhe të organizohen trajtime dhe shërbime të riintegrimit për viktimat.
Shqipëria po ashtu listohet në kategorinë e dytë sa i përket luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore.
Aty thuhet se ky vend ka rritur fondet për mbrojtje të viktimave dhe ka fuqizuar mbrojtjen e fëmijëve.
Sipas të dhënave, qeveria dhe organizatat joqeveritare kanë identifikuar 105 viktima potenciale të trafikimit, në krahasim me 95 për sa ishte raportuar më 2016.
Në këto shifra janë përfshirë 49 të rritur dhe 56 fëmijë.
Në mesin e tyre 80 janë gra në krahasim me 25 burra.
Sipas autoriteteve 79 persona janë identifikuar si viktima potenciale për dallim nga 26 persona që janë cilësuar si viktima të trafikimit.
Për më tepër, Shqipëria vazhdon të konsiderohet burim, territor tranzit dhe destinacion për personat që janë pre e trafikimit seksual dhe punës së detyrueshme.
Sa i përket rajonit, në të njëjten kategori sikurse Kosova dhe Shqipëria janë listuar, Maqedonia, Kroacia dhe Serbia, derisa Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi janë vendosur në listën e vendeve që janë nën vëzhgim, pasi nëpër të njëjtat është duke u rritur ndjeshëm numri i viktimave dhe autoritetet kanë dështuar në rritjen e përpjekjeve për të luftuar forma të ndryshme të trafikimit.
Në mesin e vendeve që gjenden në kategorinë e fundit janë edhe Bjellorusia, Kina, Irani, Koreja Veriore, Rusia, Siria dhe Venezuela.
Raste të veçanta kësaj radhe janë konsideruar: Libia, Somalia dhe Jemeni./REL