‘Dashnoret’, çfarë thotë ligji për martesat fetare
Poligamia në Kosovë nuk lejohet me ligj, por sipas disa personave, lejohet me fenë islame. Një kundërshtim i tillë ligj-fe, ka qenë temë diskutimi kohën e fundit.
Ndërsa, sot është raportuar në media se Imami nga Obiliqi, Behar Mjekiqi, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij E.J. Pasditen e së martës ai dyshohet se në mënyrë të dhunshme e ka larguar të njëjtën nga shtëpia.
Viktima E.J e ka denoncuar imamin në polici, policia përmes raportit 24 orësh ka konfirmuar se e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.
Një deklaratë e mëhershme e Ikballe Berisha-Hudutit lidhur me poligaminë dhe martesat e përkohshme, kishte çuar ‘peshë’ gjithë komentuesit e zjarrtë në rrjetet sociale.
Ajo kishte thënë se burri ka drejtë t’i ketë disa gra, madje, e lejon bashkëshortin e saj që të ketë martesa të përkohshme, kur udhëton jashtë Kosovës.
Mirëpo, a lejohet poligamia sipas fesë islame, pasi, Ikballe Berisha Huduti në deklaratat e saj, referohej në despozitat islame?
Për martesën me një apo më shumë gra, ka folur imami kosovar, Bekim Jashari.
Në një prononcim për Syri, ai tha se martesa llogaritet si leje nga Zoti dhe se poligamia varet se a lejohet nga shtetet e ndryshme, pra, s’është e njëjtë në secilin shtet.
“Në lidhje me temën tuaj, konsideroj që është një temë që zakonisht individë të njëjtë e plasojnë pothuajse çdo ditë për opinionin tonë. Së pari, është krejtësisht tematika e panevojshme për t’u plasuar në opinion në mënyrën si po plasohet. E dyta, konsideroj që kjo çështje po bëhet si presion për gruan që të nënshtrohet paraprakisht ndaj dëshirave e epsheve. Në parim, martesa në Islam nuk është mënyrë urdhërore të prerë, ajo si normë llogaritet lejes, pra martesa është leje nga Zoti, po flas për martesën e jo për numrin. Hapësira e diskutimit të numrit varet krejtësisht nga zakonet dhe traditat e popujve si dhe nga sistemi legjislativ i shteteve” tha imami.
I pyetur për martesat e përkohshme, imami tha se kjo çështje nuk korrespondon me tradita tona shqiptare.
“Ata që hapin këto tema është mirë të na përgjigjen se: A do të ndëshkohet në botën tjetër dikush që ka vendosur të jetoj i pa martuar? Kurani ka gjëra që janë urdhërore dhe gjeneralë si dhe gjëra që kanë mbetur në heshtje për t’u komentuar dhe interpretuar, kurse gjërat specifike i takojnë një situate e një aktualiteti. Nga Zoti, ne kemi hapësirë për të ndërtuar jetën konform situatave aktuale. Të mos harrojmë se ne jemi shoqëri shqiptare-evropiane dhe kemi traditat tona që në kuadër të hapësirës pranuese edhe mund të veprojmë, sepse, kjo nuk bie ndesh me mësimet Hyjnore. Është e pa pranueshme dhe e pa mundur të flasim ne në Evropë dhe Shqiptari me mendësinë e kuptimit fetar të vendeve që merren me lejesa të përkohshme dhe që bisedë ditore e kanë martesën apo femrën. Ata kanë rregullat e tyre konform situatave ne vendet e tyre” përfundoi ai.
Sa i përket martesave fetare, kjo gjë në Kosovë është përcaktuar edhe sipas ligjeve.
Ligji për familje, neni 36 parasheh çiftet që duan të martohen sipas religjioneve, fillimisht duhet të martohen sipas ligjit.
“Personat që dëshirojnë të lidhin martesë në pajtim me rregullat fetare (religjioze) nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, përderisa ata nuk e dëshmojnë lidhjen e martesës ligjore me çertifikatë të lëshuar nga regjistri i ofiqarit” thuhet në nen.
Nga ana tjetër kujtojmë që për poligami shpeshherë në Kosovë janë lakuar edhe disa emra të politikanëve.