“Dashuri e vështirë” mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së
Aleancat me fuqitë perëndimore janë jetike për sigurinë e Kosovës dhe integrimin e saj të suksesshëm euroatlantik. Ndërsa peizazhi gjeopolitik ndryshon me shpejtësi, vëzhguesit thonë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme që të mos rreshtohet në anën e gabuar të presidentit të ardhshëm amerikan, Donald Trump.
“Dashuri e vështirë”. Kështu e përshkruan marrëdhënien mes Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan – ish-drejtor i Çështjeve Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.
Ai thotë se nëse veprimet që Uashingtoni i konsideron të njëanshme dhe të pa koordinuara, bëhen normale në Kosovë, ajo do ta gjejë veten të cenuar dhe të izoluar.
Kupchan tani profesor në Universitetin “George Town”, thotë se nuk janë veprime të mençura ato që po i merr Kosova, kur janë në pyetje aleancat ose normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, nga i cili varet rrugëtimi euro-atlantik i Kosovës.
Profesori thotë se Kosova duhet t’i balancojë interesat e saj me pritjet e aleatëve
“Kosova duhet t’i shmangë hapat që shihen si provokues dhe të vijë në një situatë ku është e gatshme të ulet ballë për ballë me Serbinë. Bashkë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kosova duhet të bëhet sërish një partnere, e cila përpiqet t’i çojë gjërat përpara”, deklaroi Kupchan.
Tefta Kelmendi nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë thotë se bashkësia ndërkombëtare pret nga Kosova që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin është dakorduar me Serbinë qysh në vitin 2013.
Por, për jetësimin e tij Kelmendi thotë se duhet të bashkëpunojë edhe Serbia dhe të kontribuojë edhe vetë bashkësia ndërkombëtare.
“Ndërkombëtarët mund ta adresojnë këtë çështje duke e balancuar qasjen e tyre ndaj Kosovës dhe duke i ofruar një lloj sigurie asaj sidomos sa i përket njohjes nga pesë vendet mosnjohëse. Në këmbim të kësaj, pastaj Kosova do të ofronte bashkëpunim më të madh duke mos e bllokuar themelimin e asociacionit”, deklaroi Kelmendi.
Kelmendi shton se rrethanat aktuale dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë çuar në reduktim të mbështetjes nga partnerët perëndimorë, çfarë ka ndikuar si në procesin e integrimit në BE, ashtu edhe në njohjen ndërkombëtare.
“Asnjë vend i ri në botë nuk e ka njohur Kosovën në katër vjetët e fundit. Nuk ka pasur as anëtarësim të ri në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Kosova është tashmë mjaft e izoluar nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Ajo vazhdon të mbetet ende në masat e BE-së, që nuk e lejojnë të zhvillojë takime të nivelit të lartë me BE-në si dhe të aplikojë për fonde shtesë të BE-së”, shtoi Kelmendi.
Këto masa BE-ja i ka marrë vitin e kaluar kundër Kosovës për shkak të mosbindjes së saj për ta shtensionuar situatën në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në vazhdën e tyre e Kupchan kujton rëndësinë që kanë aleancat me Perëndimin për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës.
Pa to Kosova nuk do të ishte Kosovë, sipas tij.
“Ndaj, unë mendoj se gjëja e fundit që është në interes të Prishtinës është t’i djegë urat e saj me ato vende që janë tejet të rëndësishme për mirëqenien e saj dhe për integrimin e saj në komunitetin euroatlantik.
Unë shpresoj që Kurti dhe udhëheqësit e tjerë potencialë do ta kuptojnë këtë në fund të ditës, dhe t’i kthehen të qenët partnerë më bashkëpunues, ashtu siç kërkon Bashkimi Evropian dhe SHBA”.
Kosova është më pak se tre muaj larg zgjedhjeve parlamentare.
Në fillim të vitit të ardhshëm, në Shtëpinë e Bardhë pritet të kthehet edhe presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump.
Gjatë mandatit të parë presidencial, Tramp ka qenë dëshmitar në nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, megjithëse pak prej saj është zbatuar deri më tash në terren.
Kupchan thotë se Trump njihet për qasje transaksionale, duke qenë edhe manjat i pasurive të paluajtshme.
Ai do të përpiqet të bëjë marrëveshje, qofshin ato në Ballkan, në Ukrainë apo në Lindje të Mesme, thotë ish-zyrtari amerikan.
Ai do të bisedojë me ata individë që mendon se mund t’i zgjidhin problemet sipas tij.
“Nëse unë do ta këshilloja Kurtin, do t’i thosha: Ki kujdes! Nuk do që të rreshtohesh në anën e gabuar të Trumpit. Nuk do të jesh dikush që ia zë rrugën një përparimi të mundshëm, dhe një marrëveshjeje që Trump do të donte ta prezantonte si të vetën”, shtoi Kapchan.
Pa gjykuar për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, edhe Kelmendi thotë se administrata e re amerikane do të mund të kërkojnë marrëveshje të shpejta mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat mund të mos jenë të favorshme për Kosovën.
“Ato mund të përfshijnë gjithçka, nga rikthimi i idesë për shkëmbimin e territoreve, deri te largimi i Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe zëvendësimi i saj me trupat e KFOR-it. Kjo do ta çonte pastaj në skenarin e një mini-Kosove brenda Kosovës”, ka deklaruar Kelmendi.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti e ka kaluar deri më tash këtë vit përmes një sërë mospajtimesh me aleatët perëndimorë./rel