Dashuri në Beograd

12 prill 2020 | 08:42

Shpëtim Selmani

Ishte hera e parë që shkoja në Beograd. Si fëmijë, mendoja se Beogradi ishte e keqja, vrima e zezë dhe shtriga. Unë flas brenda kufijve të dijës sime. Jashtë saj nuk kam asnjë tentim të mjaftueshëm për t’ua qëlluar gjërave. Secili nga ne është i padobishëm, i marrë dhe i neveritshëm për një pjesë, ndërsa për pjesën tjetër është gjeni, i hatashëm dhe i shenjtë. Por, ama të gjithë jemi ëndërrimtarë. Kjo u jep fund gjërave. E të jetosh në mes të këtyre dy anëve është e vështirë, e papërshtatshme, madje e zorshme. Njerëzit janë kalamaj të paarsyeshëm. Dua të rrëfej diçka të parrëfyeshme. Diçka që i shkon për shtati ecjes në teh të thikës. Paj, jeta e tillë është sado që çdo mëngjes i këndojmë këngë të bajatshme lumturisë, ditëve të mira dhe zhdukjes së luftërave të hamamta anembanë botës së vuajtjes së pacenueshme.

Pra, isha në Beograd. Ajo që dua t’ju rrëfej nuk ka të bëjë asgjë me këtë qytet. Në këtë logjikë unë isha te Lepotica. Nuk kishin rëndësi më rrugët sepse vijat e duarve të Lepoticës ishin rrugët e Beogradit. Nuk kishin më rëndësi teatrot sepse luhej një pjesë shumë e mirë në barkun e Lepoticës. Nuk kishin rëndësi më poezitë sepse Lepotica kishte diçka poetike në buzët e lëngshme. Nuk kishin rëndësi më luftërat në mes të popujve sepse Lepotica kishte pafundësisht paqe në lëkurën e sisëve të saj që gati shpërthenin. Si minat e dikurshme të vendosura nga bashkatdhetarët e saj, për të na marrë jetët ose ndonjërën këmbë. Lepotica donte të ma grabiste ekzistencën. Qenien. Lehjen time. Ajo më kishte shkruar letra ende pa e parë. Letra të pafundme dashurie. E kisha të mbushur një thes bërlloku, me zarfe të ndryshme që bartnin pasojat e puthjeve të Lepoticës. Dukej se më adhuronte si një besimtare e devotshme. Madje kishte përkthyer disa poezi të mia në gjuhën e saj. Në të vërtetë. Disa vjet më herët ia kisha dhuruar librin tim të parë në mënyrë aksidentale. Të vetmin me poezi. Kështu më kishte thënë. E kishim pritur këtë ditë. Udhëtimi kishte qenë i frikshëm. Më kishte shpalosur disa kujtime të këqija.

Vendosja në një hostel gati gotik që kundërmonte erë myku ose që të kujtonte kufoma të freskëta nuk ishte bash ashtu si e prisnim. Çuditërisht dhomat ishin tërë luks. Shtretër të butë dhe jorganë të trashë. Do të bëja një lexim në orët e vona dhe do të takohesha me Lepoticën.

O njeri, sapo është futur një pidhë me flokë të kuqe në mesin e pensionistëve gjaknxehtë, në mua u zgjua një përbindësh. E njoha nga fotot. Po, po, e njoha nga fotot. Kisha një album me foto të saj që m’i kishte dërguar. Shpesh i shihja dhe masturboja duke shpresuar se do të takohesha me të. Flokët i kishte të kuqe. Mbante një palë syze që i jepnin një dozë misteri. Kujdesej për këtë gjë. Më pa. Ia bëra me sy dhe kujtova çorapet e këmbëve, që ia kisha parë në fotografitë të cilat isha gati për t’i varur në mur. Aso lloj çorapesh që ta çojnë karin deri në mjegulla. E shihja kohë pas kohe derisa të dyja palët pranonin realitete të reja, vizione të reja në përjashtim të disa pleqve që mbanin shënime me duart e tyre të dridhura. Një gjë ishte e qartë. Gjërat diheshin, por ama sistemet ishin të prishura, të vrazhda. Politika kishte dështuar ta bënte jetën e përbashkët më të mirë. Jo vetëm në këtë anë, por kudo në botë. Pasi përfundoi ajo gumëzhimë fjalësh, pyetjesh e përgjigjesh, dola jashtë.

  • A je ti Lepotica?
  • Si më njohe?
  • Ta njoha erën që e lëshon nga këmbët.
  • Kam veshur diçka speciale… – dhe e ngriti fustanin e zi. O perëndi! Të jam mirënjohës që ke krijuar disa ditë të bukura në këtë jetë. Që na ke bërë kohë pas kohe këtë rrotullim asgjësh të bezdisshme, pak më të lezetshëm.

Lepotica ishte pak e shëndoshë. Me buzë luante mrekullisht. E bukura ishte se fliste gjuhën time sepse e kishte studiuar madje më tha që gjuhën tjetër e kam të gjarprit dhe bëri disa forma të gjuhës para syve të mi. Ishte e gjatë sa unë. Nëse jam i gjatë. Qeshte vazhdimisht. Ishte e lumtur. Nuk diskutohej.

E kapi dorën time dhe më largoi nga kontaminimi i kulturës. Sapo dolëm nga oborri i asaj ndërtese të vjetër e kapa kokën e saj. E putha në buzë shumë lehtë. Nuk e kishte pritur. As që kisha besuar se do të ndodhte diçka e tillë. Ishte puthja më e mirë që e kam bërë.

  • Ku dëshiron të shkosh?
  • Unë jam biri yt i luftës.
  • Do të njihesh me Beogradin.

Më kishte ikur frika. Tashmë përnjëmend isha në Beograd. U ndalëm në një kioskë dhe blemë katër shishe të birrës. U ulëm në një park të madh para një ndërtese përrallore.

  • A të pëlqen?
  • Paj, Zagrebi kishte më shumë hapësira në rrugë.
  • Mbylle, mos ma kujto kroaten.
  • Secili njeri duhet ta ketë kohën e tij të provës, aq sa lejojnë djajtë brenda tij.

Ishim vetëm unë dhe ajo. Përfaqësonim popuj që e kishin bërë gjak historinë. Sapo flisnim për luftërat, vitet e shkuara gati dhihej çdo gjë. Ajo mendonte ndryshe e unë mendoja ndryshe, por duart e mia lëmonin çorapet e saj. Këto duar qetësonin gjethet, përplasjen e tyre të lëkundshme në atë qetësi të natës së huaj. Të panjohur.

  • Pse ke frikë?
  • Nuk e di. Më duket vetja tradhtar.
  • Ti je tradhëthar… – nuk e thoshte mirë fjalën dhe kjo më dukej argëtuese. Dukej sikur më quante trutharë.
  • Gjithë ai gjak. Gjithë ata të zhdukur. Ata të dhunuar. Nuk është e lehtë.
  • Shshshsh… – e vendoste shuplakën e dorës në buzët e mia dhe më puthte në supe, pastaj në ballë, në buzë. Lëshonte kokën në gjoksin tim.
  • Ti për mua je çdo gjë. Je amerikan, rus, serb, shqiptar, kosovar ose nuk je asnjëri prej tyre. Ti për mua je njeri, mbi të gjitha. Kjo është e rëndësishme. Afrohu.

Lepotica fliste sikurse të gjithë njerëzit e tjerë. Lepotica ime paqësore. Lepotica ime e rregullave. Shërbëtore e fjalëve të bukura. Ishte mbështetur në mua duke pëshpëritur si në kllapi:

  • Nuk do të shkosh i dëshpëruar me Beogradin… – më pëlqente se si e donte këtë qytet ku bashkoheshin dy lumenj të qetë. Këtë qytet me disa rrënoja bombardimesh. Me pleq që flisnin shumë gjuhë të huaja e që shëtisnin të trazuar nga vdekja me qentë e tyre krenarë. Me një lloj tendenciozitetit filozofik.

Paj qija nanën nuk kishim bërë asgjë të keqe. Unë dhe ajo. Po pse do të duhej të ndihemi me faj dhe të diskutonim për gjëra kaq të mundueshme. Ishim të rinj. Donim të qiheshim. E gjitha kjo në mënyrë të hollë, kishte të bënte më shumë me simpati. Me një lloj lakmie për ta provuar shijen e njëri-tjetrit. Me një pëlqim të natyrshëm. Kishin kaluar disa vjet nga lufta, ama ende shihja ëndrra si pasojë e atyre pamjeve të asokohshme. Ende jam i traumatizuar, ama në prehrin e një vashe, të një gruaje, të një pidhi disi arrija të qetësohesha. Doja dashuri dhe kaq. Nuk më interesonte asgjë tjetër. Lepotica sillej butësisht e mrekullueshëm me mua. Ndonjëherë thoshte diçka të frikshme si:

  • Do të vras.
  • Paj unë njoh shumë forma vrasjesh.
  • Do të vras me helm.
  • Mirë de. Helmi nuk del kurrë jashtë modës. T’i qifsha të gjithë ata libra ku dashnorët vdesin shkaku i helmeve që pinë.
  • Jo, unë kam helm këtu – dhe e lëshoi nga goja gjuhën e trashë e të gjatë jashtë. Si një krijesë e pazakonshme. Ma futi thellë në gojë. Në atë kafshim gojësh, më pyeti:
  • Cila kafshë të pëlqen?
  • Njeriu është dëfryes.

Ishte shumë ftohtë. Një mbrëmje aq e ftohtë saqë kockat ngriheshin sikurse reçeli gjatë kohës së dimrit në ndonjë frigorifer jofunksional. Kishte nisur të më pëlqente Beogradi. Ama ndjenja e një faji të çuditshëm ndaj qytetarëve të mi bëhej më ngacmuese. Dora e saj e ngrohtë pas kokës sime rrotullohej dhe qetësonte rrënjët e flokëve të rrëqethura nga prania e asaj krijese, që nuk ngopej së afruari. Derisa mori guximin dhe hipi në prehrin tim. Ia futa dorën mes këmbëve. Nuk e di pse kjo më jep një pushtet mbi botën. Në këtë mënyrë ajo nënshtrohet para ekzistencës sime vetjake. U puthëm si kafshë. U kafshuam si njerëz. Pimë birrat duke qeshur me njëri-tjetrin dhe me lumturitë e objekteve që na rrethonin. Doja më shumë se kaq. Doja t’ia konstruktoja himnin e kënaqësisë. T’ia palosja në ballë kujtimin e përjetshëm për mua. Më doli duarsh befasishëm. Kërceu si dreq:

  • Të urrej.
  • Ku do të shkojmë?
  • ..- dhe kapi duart e mia akull që nisën të lëshonin avull në shuplakat e Lepoticës, që e linin mendtë për mua.

Nata e ftohtë kishte nisur të futej në vrimat e kockave tona. Hyrja në atë lokal të mbushur me djem e vajza të reja që kërcenin nën tingujt e një kënge të trentë roku, ishte një ndjesi totalisht e panjohur për mua. U ngjitëm në katin e dytë. Nisëm të pimë birra. Lepotica kërcente para meje. Me gishtin e saj tregues mbi buzët e fryra më tha:

  • Ti vetëm rri dhe mos lëviz.
  • E kam të pamundur të mos e lëviz bythën. Kam krimba në të.
  • Lëviz diçka tjetër… – dhe qeshi kur këmbën e saj ma futi në mes të krahut të djathtë dhe pjesës anësore të barkut. Në të vërtet diçka tjetër lëvizi.

Lepotica zbulonte stilizimin e këmbës me një dinakëri gruaje. Dy duart i kishte të hedhura pas kokës sime. Herë ma puthte hundën, herë buzët, herë sytë e herë ballin. Me gishtat e saj i lëmonte qimet e mjekrës. Kohë pas kohe m’u desh të duroja dy-tri flakaresha, që i vinin nga zjarri që digjej në të.

Lepotica ishte gjakpirëse. Sidoqoftë, çdo tendencë e imja për të kërcyer shkatërrohej dhe nuk rritej ngaqë Lepotica më ndalonte. Gjatë tërë kohës pija dhe ia shihja sisët, që me të vërtetë i dukeshin të përsosura. Kohë pas kohe një shok i saj më afrohej tek veshi dhe më thoshte:

  • Njeri, a nuk e sheh se ajo po laget për ty… – kishin kuptuar se nga vija. Në vend se të më shihnin me ndonjë sy tjetër (shkaku i mosarsyeve ose arsyeve që kemi mundësi t’ia krijojmë vetes) më qerasnin me birra dhe kujdeseshin që mos të rrija pa një të tillë në duart e mia flakë.
  • Me sa po e shoh, do ta hamë njëri-tjetrin… – i thosha derisa ma godiste shpinën duke më thënë, që të ndihesha mirë në mesin e tyre. Dukej se ai donte ta qinte Lepoticën. Natyrisht nuk e fola këtë. Me asnjërin prej tyre.

Kur u bë i padurueshëm qëndrimi në tym duhani, në gjuajtje shishesh e në çirrje zërash, iu afrova te veshi dhe, pasi ia lëpiva mirë e mirë, i thashë:

  • Të dalim nga këtu. Njerëzit nisën të bëhen të rrezikshëm.

Dolëm nga aty. Në një kioskë tjetër të mbushur me gazeta që dukej se nuk i kishte blerë askush, i rrëmbyem edhe katër kanaçe birrash. U ulëm në një rrugë të shtruar për mrekulli. Biseduam për popuj, për luftëra, për djem dhe për vajza. Nuk biseduam për lulet, lumenjtë, erën dhe Zotin. Njerëzit kalonin rreth nesh sikurse statuja të lëvizshme vdekatare. Kthenin kokën dhe shihnin dy të dashuruar marrëzisht që kishin pështjelluar këmbët. Lepotica mbante këmbët në mes të mia. Pinim birrë derisa zbulonte aftësinë e saj për t’i përshkruar gjërat. Lepotica ishte një narratore që të zgjonte nga gjumi i rëndë i një pasditeje. Më fliste për rrugët dhe për arkitekturën e qytetit. Nuk e dija se ku do të flija. Kisha harruar dhomën e hotelit, hotelin dhe tërë Beogradin. Ajo vajzë e ashpër kafshuese, më kishte shndërruar në hiç harrestar. Më kishte hyrë i ftohti në palcë. Mëngjesi kishte zbuluar dhëmbët e mprehtë. Duke u kalamendur nëpër rrugë, ecnim si dy lisa të vjetër, që lëkundeshin nga një erë e frikshme veriore. Morëm një taksi dhe e luta Lepoticën, që të më çonte deri te hoteli. Pa të nuk ekzistoja. Pa të isha i humbur.

Më pyeti mbi vendin e hotelit:

  • Nuk di asgjë zemër, di vetëm që njerëzit janë të këqij… – më dha disa të puthura. Në ato lëvore buzësh ndjeva një fije të hollë zhgënjimi në të. Një lloj shqetësimi dhe një lloj kujdesi të hatashëm.

U futëm në një taksi të verdhë dhe në dorën e saj i dorëzova të gjitha të hollat që i kisha. Edhe ashtu isha një varfanjak skandaloz. Nuk dija të kurseja. Arti i të kursyerit më dukej një shëmti e madhe. Një dërrasë e kalbur në shtëpinë e madhe kalkuluese. Lepotica mundohej ta kuptonte vendin e hotelit me anë të disa negociatave të qeta jopolitike e të mundueshme herë më taksistin i cili mundohej të mos nervozohej, herë me mua që isha dorëzuar para tyre. Pa armë. Pa grushte. Pa forcë. Pasi kaluam disa rrugë dhe numëruam disa të tjera, i gjysmëfjetur çova gishtin tim të mesit në drejtim të një ndërtese që dukej një rrënojë vampirësh. Thashë me gjysmë zëri:

  • Ja, kjo është, këtu… – dhe u gëzova.

Lepotica më puthi si për të fundit herë dhe më la të vetëm. Njeri, nuk zotëroja asgjë. Në një qytet të huaj i cili fuste tmerr ndër vite tek ne. Lepotica më la. Më braktisi. Kjo nuk falej. Nuk isha i sigurt se ai ishte hoteli. Më kapi një pasiguri e madhe. U pajtova që në këtë natë do të flija diku jashtë, në ndonjë qoshe. Shihja anët e paanë. Asnjë shpëtimtar i vetëm. Asnjë Zot. Asnjë pidhë. Vetëm unë në mes të asaj errësire. Bir i saj. Pa pikë shprese. Bota nisi t’u takonte atyre që futen nëpër dyer të huaja. U afrova afër një porte të madhe të drurit, e cila ishte e gdhendur shumë bukur. Shtypa një buton të kuq. Asgjë. Shtypa një tjetër, po ashtu, të kuq. Dera e madhe e gjumit nuk hapej. Shtypa një tjetër, po ashtu, të kuq. U ula pranë saj. Doja të qaja. Isha një shkëmb. Më kishin braktisur të gjithë. Doja të shpëtoja. Nuk duroja egërsirat e padukshme të natës. U ngrita. Shtypa një buton tjetër në mesin e dhjeta të tjerëve. Butona të kuq. Shtyva derën. U hap. Më kishte kapur frika se isha futur gabimisht. Shfletova fletët e kujtesës idiote. Në fund isha pranë një dere tjetër. Sa dyer do të duhej të kaloja deri te shtrati. Sa dyer të hamamta. Sa butona të hamamtë më duhej të shtypja që të arrija e të shtrihesha.

Përsëri shtypa dhjetëra butona të qirë. Derisa u hap dera e ndërtesës. Ndieja hapat e mi të lodhur. Nuk e dija në cilin kat ishte dhoma ime me katër shtretër. Në katin e tretë trokita më shumë se katër herë. Ora ishte afër pesëshes së mëngjesit. Nuk e hapi askush. Ndjeva disa hapa në anën tjetër misterioze. Isha babai i gabimeve. Zbrita në katin e dytë. Pashë një derë të gjysmëhapur dhe futa kokën. E gjeta. Ishte dhoma ime. Nuk e di as vetë se si kisha shpëtuar nga vetja. Hoqa rrobat dhe shihja se si flinin shokët e mi. Të zhytur pafundësisht në gjumin e tyre të bukur. U shtriva. Mendova në Lepoticën. Nuk e kisha qirë. Të nesërmen nuk do t’ia falja. Të nesërmen do ta marr adresën e hotelit me vete. Të nesërmen do të kisha para të mjaftueshme. Futa kokën në jastëkë dhe fjeta si një qengj që do të jetonte deri në ditën e festës. Si një dhi e egër. Sidoqoftë të nesërmen do të takohesha prapë me Lepoticën dhe kështu të dyja bëheshin edhe më të bukura. E nesërmja dhe Lepotica. Megjithëse nuk i lejoja të formonin një të ardhme. Kush dreqin merret me të. Unë dhe Nicku. Jo.

***

Në ditën e dytë të qëndrimit tim në Beograd u ndjeva disi më i lehtësuar. Kur e takova Lepoticën të nesërmen ishim më të afërt dhe më epshndjellës. Më njoftoi me qytetin e saj. Vizituam teatrot e qytetit. Rrënojat e një ndërtese shkaktuar nga bombardimi i ashpër i zogjve të hekurt. Kujtuam luftën dhe u ndezëm. Përsëri do të duhej që Lepotica të më prekte, të më ledhatonte që të qetësohej situata. Vizituam një bibliotekë të vjetër. Të djegur nga gjermanët. Lepotica pyeti veten dhe mua:

-… si mund të digjen libra?

-… shko pyete babanë tim i cili i varroste disa libra për së gjalli, disa vjet më herët!!! Gjatë viteve të nëntëdhjeta, posedimi i disa librave kërcënonte jetën tonë dhe jetën e të tjerëve. Në shtëpinë tonë kishte libra të rrezikshëm. Që provokonin vdekjen. Lepotica e kapi dorën time të trashë. Më çoi te Kalemegdani.

Një park fantastik që vezullonte nga fytyra të brengosura shahistësh. Nga portrete të lumtura fëmijërore. Nga çudi të frikshme vizitorësh. Nga kureshtjet e aziatikëve. Në një kioskë të vogël blemë disa shishe birre dhe një kartolinë bardh e zi të Josip Broz Titos, me gruan e tij Jovanën. Kisha marrë disa para hua dhe ndihesha më i sigurt. Shëtitëm gjerë e gjatë parkut duke biseduar mbi gjëra të rëndomta e herë-herë duke u puthur. Kalemegdani të falte një qetësi. Mua më dukej se ishte vendi më i bukur atypari. Sidomos kur shihje dy lumenj se si bashkoheshin për t’i ndarë njerëzit. U ndjeva njeri i Tokës. Përkisja çdo kund. Në çdo gjë gjendej fara ime. I doja të gjitha krijesat e tokës, detit, qiellit dhe nëntokës. Edhe të vdekurit i njihja të gjithë. Lepotica mbështeti kokën në cepin e krahut tim. Me një zë dëshpërimisht të bukur më tha:

  • Koha e perëndimit të diellit tek ne, është kohë e daljes në shesh të shpirtrave të këqij.

Nuk e kuptova përse dëshironte të qante.

  • Përse zgjodhët luftën? – më pyeti befasisht Lepotica e qetë, guximtare me buzët e saj në formë zemre të plagosur.
  • … sepse, po të mos kishte ndodhur lufta, ti nuk do të më kishe njohur kurrë. Po të mos kishte ndodhur lufta unë nuk do të isha këtu. Do të isha diku maleve i uritur, i plaçkitur. Do të isha rob i mjerë. Do të isha azilkërkues i lodhur në shpirt. Do të isha punëtor hekurash në ndonjë fabrikë të bukur në ndonjë vend perëndimor. Do të kisha duar të rrjepura… – doja të flisja edhe më shumë, por Lepotica më puthi qetësisht. Aq sa çdo qelizë e imja ra e shtrirë në tokë.

Kalemegdani me pamjen e tij më kishte bërë viktimë. Kishte parakaluar gjithë e kaluara ime. Tani isha duarbosh para së ardhmes dhëmbëmprehur që fërkonte thikën e saj me vaj. Që rrotullohej rreth zjarreve të së tashmes. Që lëpinte gjakun në shpatën e saj. Vizituam disa gërmadha të lashta antike, labirinte djajsh e kuçedrash. Më pas kaluam rreth një kishëze.

Një plakë me halle të thinjur qante, jetonte e vetmuar në mes të qirinjve të panumërueshëm dhe lutej për të ardhmen e saj, për paqen e përgjithshme botërore. Pasi ecëm derisa u lodhëm u ulëm në një stol. Kalemegdani ishte i mbushur me stole dhe me erëza dashurie. Lepotica më përcillte çdo lëvizje qepallash. Ishte zotuar që do të ma shndërronte jetën me këngë. Më tregoi se shumë të rinj çonin dashuri aty poshtë Kalemegdanit. E mora si shenjë paralajmëruese ama nuk guxoja të propozoja diçka të tillë. Nata kishte nisur t’i përpijë molekulat e ditës. Gjymtyrët tona të mërdhezura nga të ftohtit e muzgut kishin nisur të dridheshin në heshtjen e tyre të lëvizshme. Lepotica kishte qejf të lundronte mbi prehrin tim. Përsëri u puthëm. U kafshuam dhe e shikuam në sy njëri-tjetrin për shumë kohë. Nuk ka asgjë më provokuese se të shikohesh në sy me njëri-tjetrin, ngaqë është akti final i zhveshjes njerëzore. Lepotica ishte e nxehtë. Kishte një dëshirë për ta pronësuar qenien time. Një dëshirë të tërbuar. I lëmonte flokët e mia të bëra si një kaçubë mali. I rregullonte si të ishin flokët e shoqes së saj që lëmonte këmbët e mia tinëz saj, në natën e parë të qëndrimit tim në Beograd. Më pas, të lodhur nga ecja dhe nga ushqimi me mishin e njëri-tjetrit, u nisëm rrugës nga kishim ardhur. Kisha mbetur i mahnitur nga bukuria. Nga kurora mbretërore. Nga qetësia magjike e Kalemegdanit. Lepotica futi gishtat e saj në mes gishtave të mia. Për të njëmijtën herë u bë udhërrëfyese magjepsëse. Më tha që nuk ndihej mirë. Kishte nevojë që të shtrihej. Mendoja se dëshironte të qihej. I propozova që të shkonim tek strehëza. Më kundërshtoi me një rreptësi të prerë. Dëshironte të shkonte në shtëpi. Kishte mundësi që më nuk do të takoheshim. U preva në gjunjë. Nuk ishte e mundur. Unë dhe ajo kishim diçka për të bërë. Më la në mes të rrugës si një kungull dhe kur shkoi larg bërtiti:

  • Më ke në xhepat e thellë të pantallonave…!!!

Futa duart dhe kapa një letër të vogël. Në të ishte e shkruar adresa e saj e shtëpisë. Më kapen ethet. Ndjeva të ftohtin thellë në eshtra dhe bashkë me të ftohtin tërë ata njerëz të huaj që shkonin e vinin, që vinin e shkonin. Lexova adresën e saj. Ndjeva shkrimin e saj të shkalafitur. E futa në xhep atë copëz letër. Mora rrugën për te qendra e shkrirjes së luftërave. Dhe shkriva të gjitha luftërat.

***

Në mbrëmje, derisa pija birrë në gota të gjëra, Lepotica më mori në telefonin e shokut tim. Më ftonte që të shkoja te banesa e saj, në katin e njëmbëdhjetë. Phii, çfarë torture! Nuk kam qejf të ngjitem në kate ndërtesash të larta ngase më pushton një dëshirë e çmendur për ta vrarë veten. Besoja se Lepotica do të më shpëtonte nga kjo muzikë kafshuese. Mora një taksi. Nuk flisja shumë me taksistin, i cili kishte mustaqe të zeza sikurse pendlat e korbit. Ishte një trashaluq i shëndoshë, që ta fuste frikën në palcë. Nuk flisnim asgjë. Lutesha që deri në fund të rrugës të mos më pyeste asgjë. Nuk doja të më njihte. Ku dreqin e di se si do të përfundoja. Beogradi ishte i madh. Ishte i shtrirë në lugina të njëpasnjëshme. Kur ndali makinën i dorëzova në dorë disa dinar dhe i lashë më shumë sesa duhej. Në fytyrën e taksistit për të parën herë, u vizatua një buzëqeshje që i vinte nga fundi i barkut. Më falënderoi shumë, ndërsa mua më shkonte mendja te fuqia e letrës, për t’i bërë njerëzit bisha të lumtura. Dola jashtë. Isha i humbur. Rrethuar nga ndërtesa që më përpinin me madhështitë e tyre normale. Bëra disa hapa dhe u ndala. Nuk dija ku të shkoja. Nuk e shihja askund Lepoticën, madje më dukej se nuk do ta shoh fare. Sillesha sa andej sa këndej për të parë siluetën e saj, në rrugët e mbushura me britma meshkujsh të droguar. Në fundin e njërës rrugë u shfaq shkujdesshëm Lepotica duke ardhur drejt meje. Nuk e kisha shikimin e fortë kështu që m’u desh të afrohesha disa hapa, për ta kuptuar vërtetësinë e saj fizike. Më puthi. Më tregoi lagjen e saj. Më tregoi hyrjen dhe në ashensor u puthëm ashpërsisht. Kishte diçka magnetike në mes trupave tanë armiq.

U futa në banesë. Para meje doli vëllai i saj. Më uroi mirëseardhje dhe më hapi një shishe birrë. I gjori ishte i sëmurë nga kollitjet dhe nga fyti. Më pas u zhduk në njërën dhomë me të dashurën që përkujdesej për të. Më la pa mend mirësia e tij dhe mënyra se si më trajtoi. Në tavolinën e dhomës së ditës gjendej libri im. Në qoshen e njërit stol më shihte si e çmendur një mace, tërbuar nga xhelozia. Ajo nuk dëshironte që dikush t’ia pronësonte Lepoticën. U habita kur macja u ul në prehrin tim duke më grithur me thonj. Xhelozia e saj ishte njerëzore. Megjithëse kam dëgjuar se disponimi i maceve është konstant, macja e Lepoticës kishte emocione me njëqind shtresa. Pimë verë të mirë me Lepoticën. Biseduam për libra, për Beogradin, për të kaluarën dhe prindërit e saj. U ndeza nga një dëshirë për ta kapur Lepoticën, por isha qenia më e përmbajtur në botë. Lepotica më ofroi një peshqir banje:

– Nëse dëshiron mund të pastrohesh.

– Po. Jam shumë i dërrmuar.

– Pse nuk je serb?

Mora peshqirin. U futa në banjë. U pastrova mirë e mirë duke soditur mijëra gjësende që i shërbenin trupit erëmirë të Lepoticës. Qëndrova gjysmë ore derisa dëgjova zërin e Lepoticës për t’u siguruar nëse isha mirë. Dola jashtë. U futa në dhomën e saj. Lepotica mori një peshqir tjetër dhe ia mësyu banjës. Isha vetëm në një dhomë të katit të njëmbëdhjetë, të një lagjeje që nuk e dija se si quhej, në një dhomë të panjohur, në Beogradin e panjohur shkatërrimtar, në Ballkanin e panjohur, në një pjesë juglindore të një Evrope të panjohur, në një botë të panjohur. Mrekulli. Disi më ishte shuar dëshira për ta mbytur veten. Më nuk më shqetësonte as xhelozia e maces, as dëshira për të shkruar. Doja ngjarje. U shtriva në krevatin e saj të butë. Mendova për veten. Mendova për të gjithë. Thashë një lutje për veten. Thashë një lutje për të gjithë. Hoqa rrobat. U futa nën çarçafë. Fërkova ballin me njërën dorë. Mendja më shkonte te Lepotica derisa u fut në dhomë, mbështjell me një peshqir të bardhë. Pikat e ujit i shkonin curril nga fijet e flokëve të saj të zeza.

Hoqi peshqirin pasi më tha ta ktheja kokën në anën tjetër. Pse të mos e ktheja. Ishte e imja ngado që ktheja kokën. Pse të mos u rrija gatitu dëshirave të saj të padëmshme. Kur ktheva kokën e pashë të pushtuar nga dy ngjyra. U fut në krevatin tim. Ndjeva avullin e trupit të saj. U shikuam në sy. Nisi të ma lëpinte qafën dhe veshët. Ia hoqa duart nga të pasmet dhe i zbulova sisët e saj. U zhyta në ta sikurse në thellësitë e një deti të tërbuar, ku të nesërmen mund të gjendesh i vdekur në bregun e tij, zbuluar nga fëmijë që luajnë me rërën e lagur. E çoi dorën te kari im që më ishte zmadhuar, që më ishte trashur. E kapi dhe nisi ta fërkojë. Ia hoqa jelekët dhe gjithçka që kishte në trup. Madje edhe erën. U tërbova nga instinktet që i shkarkonte në ajër Lepotica ime e bardhë. Ia hapa këmbët dhe, pa ia lëmuar fare, desha t’ia fusja.

  • Nuk dua, është herët. Mund të na dëgjojë vëllai.
  • Do të qihemi të heshtur.
  • Nuk dua.

U hidhërova dhe ktheva shpinën. Jam tip që respektoj shumë dëshirat e pidhave pavarësisht se natyra e tyre është e mbushur me dëshira të çmendura për lutje. Ndjeva dorën e saj grabitqare se si më kthente nga vetja. Nuk kishte ku të shkonte. Perënditë e natës ishin me mua. U ktheva në anën tjetër. Një rezistencë e pashpjegueshme trupore më shqetësoi. Më dukej se trupi im nuk ishte i gatshëm për ta qirë. Kam probleme të shumta e serioze në mes asaj se çka dëshiron shpirti dhe çka dëshiron trupi. Habitem se sa të hidhëruar janë me njëri-tjetrin. Sidoqoftë, Lepotica ishte si një fabrikë për rritjen e rrënjëve të karit. U ndeza. Më kapi një flakë dhe e çava në dysh. O Zot! Pidhi i saj ishte më i ngrohti që kam provuar ndonjëherë. Ishte valë e nxehtë kënaqësie. Aq sa e emërova vatër. Vatra e saj ishte si pasditja e ndonjë vere të nxehtë. U kënaqa në të. Pas pak minutash u prisha. U shtriva në shpinë i vetëdijshëm për zgjimin e hormoneve të çmendura. Tani më më ishte zgjuar i tërë trupi. E tërë qenia. E pashë se Lepotica hipi mbi mua. Se si kërcente mbi mua. I jepej aq sa mundej, duke kafshuar duart që të mos i dilte zëri. Pa e kuptuar as vetë isha bërë makineria e shkatërrimit.

Isha i gatshëm psikologjikisht që ta mbaja Lepoticën mbi vete deri në mëngjes. Doja që të kënaqej me mua. Lepotica kohë pas kohe ndalej dhe rrëzohej me kokë mbi gjoksin tim tërësisht e këputur. Më pas prapë ia niste këngës së saj, derisa Lepotica, me pak forcë të vetën të mbetur, u rrëzua në njërën anë duke lëshuar fjalë sikurse pak para vdekjes:

– Ti nuk je normal. Ti nuk je normal.

U ndjeva kali. U ndjeva i pangopshëm. Doja që të kthehesha në vitet ’30 dhe të jetoja në Paris, duke u endur kafeneve të pista e bordeleve mbushur me vajza që ta nxirrnin në shesh. Doja që të shkoja në Klishin e atëhershëm të Francës dhe t’i ftoja kurvicat e Millerit në duel. E kapa Lepoticën, e ktheva nga mbrapa. Lepotica u lut që të mos i bëja asgjë. Më tha që më nuk mundej. Nuk kisha gjumë. U shtrimë. Duke ndjerë se si trupi i saj dridhej kohë pas kohe, më kishte marrë gjumi. Në mëngjes Lepotica kishte ngulur sytë në tavan dhe mendonte. Mendonte thellë e dhimbshëm. Ia futa karin në mes të dy duarve, pasi më tha:

– Dua të martohem me ty.

Nuk thashë asgjë. Ishim bërë vonë. U ngutëm. Lepotica që nuk fliste më ishte bërë e heshtur. Duke u ngutur pimë kafe shumë të mira derisa më rrëfente për punën e vet prek kameriere. Ajo e donte një jetë më të mirë, por nuk kishte kushte të mjaftueshme. Ballkani ishte zhytur në mjerim që të futej në gojë. Ishim bërë qenie të mësuara me skamjen, aq sa më nuk kishte mundësi të jetonim jashtë natyrës së saj. Ishim qenie më të forta se guri. U nisëm nga ai vend me karrige të drunjta e dritare, që kishin pamje gati ekzotike. Lepotica u bë tmerrësisht e heshtur. Ajo nuk donte që të kthehesha. Por ama ne të gjithë kthehemi aty ku e kemi atë vend të qirë. Më përcolli me buzën në vaj. Kështu që u ndamë duke u puthur të vetëdijshëm se, ndoshta, më nuk kishte mundësi të takoheshim. Kurrë. Asnjëherë më. Ajo mbi mua duke ladruar djajtë brenda vetes. Kurrë më.

P. s. Pas disa muajsh e takoj te Kafja e vogël në Prishtinë dhe, pak para se të largohej njëherë e mirë, më shkruan një letër që e nxjerrë nga çanta e vet seksuale:

Për Shpëtimin,

Tradhtarin tim më të preferuar.

Për Shpëtimin shkrimtar,

Për Shpëtimin dashnor,

Për Shpëtimin mik dhe armik,

Nga një serbe.

Të kam zemër.

Në fund të letrës vizatoi një zemër dhe një fjali tjetër:

 

P. s. Ky është mesazhi që do të vijë nga një pëllumb.

Dhe u largua përgjithnjë e dëshpëruar.

 

 (Marrë nga revista “Akademia”)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, akuzoi…