Dashuri nën zjarr: Si i mbijetoi luftës në Kosovë një çift i përzier shqiptaro-serb
Kur Aliu e Jelica u martuan në vitin 1960, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë ishin të pazakonta. Por pasi filloi lufta dhe bombardimet e NATO-s, para 25 vjetëve, atyre iu desh të merreshin me paragjykimet dhe frikën.
Nga Serbeze Haxhiaj
Kur në Kosovë ranë bombat e para të NATO-s, më 24 mars 1999, Ali Zeqaj iu tha anëtarëve të familjes të bëheshin gati për të ikur nga shtëpia.
Aliu dhe gruaja e tij, Jelica Kerezoviq, janë një çift etnikisht i përzier, shqiptar dhe serb. Por të pasurit një grua serbe nuk do t’i shërbente atij si mburojë ndaj keqtrajtimeve gjatë luftës.
Pak muaj më parë Aliu ishte plagosur nga policia serbe në rrugën Pejë- Deçan, derisa së bashku me të shoqen po përpiqeshin ta ndihmonin një të ri që t’i shmangej arrestimit të policisë.
“Njerëzit mendonin se të kesh një grua serbe je i paprekur, por lufta ishte e hidhur edhe për ne”, thotë Aliu.
NATO-ja kishte nisur sulmet ajrore për ta detyruar presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviq, ta ndalte fushatën e represionit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Por për 78 ditë të bombardimeve, forcat jugosllave intensifikuan sulmet para se në qershor të atij viti të detyroheshin të largoheshin nga Kosova.
Aliu, Jelica dhe familja e tyre ishin të fundit që u larguan nga shtëpia e tyre në fshatin Strellc i Ulët.
Duke folur për BIRN-in në shtëpinë e tij në Strellc të Ulët, Aliu, tani 85-vjeçar, një mësues në pension, thotë se donte ta tregonte historinë e tij, edhe pse gruaja tani ishte e shtrirë pas një sulmi në tru, dy javë më parë që e la atë të paaftë për të folur.
“Ia kam borxh këtë (për ta treguar rrëfimin)”, thotë ai. “Armiqësitë ndëretnike mund ta shkatërrojnë çdo familje, pavarësisht cilën anë e mban”.
Djali iu vra pasi iu bashkua UÇK-së
Gjatë luftës çifti strehoi shumë të zhvendosur në shtëpinë e tyre të vogël në Strellc të Ulët, përderisa të tjerët nuk guxonin. Ata strehuan edhe kafshë, pasi një familje e zhvendosur kishte sjellë kopenë me më shumë se 200 dele me vete dhe Aliut iu desh ta ndërtonte një stallë për to, një vend që gjithashtu ishte përdorur edhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës për t’i fshehur disa armë.
Më 2 prill, kur ai, familja e tij dhe të zhvendosurit që po strehoheshin në shtëpinë e tij ishin të vetmit që kishin mbetur në fshat, ai i thirri fëmijët e tij që të hipnin në traktor dhe të niseshin për në Shqipëri.
Por djali i tij, Rexha, atëherë 30-vjeçar, refuzoi të largohej. Ai kishte vendosur të qëndronte dhe të luftonte krah UÇK-së.
“I bërtita, në përpjekje për ta bindur që të vinte me ne. E ndieja se nuk do ta shihja më të gjallë”, thotë Aliu. E ëma e tij, Jelica, thjesht i dha një përqafim.
“Rexha kishte diplomuar në Akademinë Ushtarake në Beograd dhe së fundmi i ishte bashkuar UÇK-së, pasi më shumë se një vit më parë ishte refuzuar nga një degë e FARK-ut (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, krahu ushtarak i Qeverisë së drejtuar nga Lidhja Demokratike). Ndoshta e kishin refuzuar për faktin se e kishte nënën serbe”, thotë Aliu.
Një muaj pasi familja e braktisi fshatin, më 1 maj, Rexha ishte vrarë. Aliu kishte dëgjuar se i biri ishte vrarë më 1 korrik, pasi lufta kishte përfunduar, derisa ai po qëndronte ende si refugjat në Shqipëri.
Pak kilometra pasi Aliu, Jelica dhe tjerët hipën në traktor si pjesë e kolonës që shkonte drejt Shqipërisë, ata u përballën me sprovën e parë.
“Në Deçan na ndalën (policia serbe) dhe të gjithë të rinjtë i futën brenda. Një polic ma vuri armën në kokë, duke më thënë: ‘Plak, nise traktorin ose do të të vras’”, kujton ai.
Polici ia kishte kurdisur orën dhe i kishte thënë se do ta vriste nëse Aliu nuk do të largohej brenda dy minutash. “I thashë, më vrit se nuk mund të vozis”. Djali i ri i cili po ngiste traktorin ishte ndaluar nga policia dhe nuk ishte parë më.
Pas disa orësh atje, një nga policët e kishte ngritur mbulesën e najlonit në rimorkion e tranktorit nën të cilën po qëndronin gratë e fëmijët dhe u kishte bërtitur. “Atëherë Jelica i kishte bërtitur atij duke i thënë: ‘Duhet të të vijë turp’. Pak minuta më vonë na lejuan të largohemi, pa djemtë”, thotë ai.
Në afërsi të Gjakovës ata ishin ndalur sërish dhe një pjesëtar i ushtrisë jugosllave ua kishte marrë letërnjoftimet. “Kur e pa letërnjoftimin e Jelicas, i zgurdulloi sytë”, kujton Zeqaj. “Ndoshta nuk e kishte pritur që një serbe të largohej si refugjate për në Shqipëri”.
Sytë e Aliut mbushen me lot kur kujton një plak serb që e kishte takuar në Prizren gjatë rrugëtimit treditësh për në Shqipëri.
“Traktori mbeti pa naftë. Shkova në një shitore të vogël për ta pyetur një serb nëse kishte një litër për t’ma shitur. Plaku më tha: “Kam bukë sa të duash, të lutem merre dhe nuk ka nevojë ta paguash, por naftë nuk kam”, kujton Zeqaj.
“Pastaj më tha: Dëgjo mik: ju po shkoni, por do të ktheheni. Kur të ktheheni ju, ne do të largohemi, por ne nuk do kthehemi më kurrë”.
Pasi forcat jugosllave u larguan nga Kosova në qershor, pas ndërhyrjes së NATO-s, shumë serbë u larguan nga frika e sulmeve hakmarrëse.
Kur familja Zeqaj hyri në Shqipëri, disa gazetarë francezë që po intervistonin refugjatët nga Kosova u ndalën të flisnin me Jelicën.
“E dëgjoja atë duke thënë se ajo çfarë po bën Millosheviqi ishte njëjtë sikur Pol Pot (diktatori që udhëhoqi gjenocidin në Kamboxhia)”, thotë Zeqaj.
“Kur e pyetën për emër, ata u shtangën. Nuk e prisnin që një grua serbe ta kishte djalin në UÇK”.
Por edhe pasi mbërriti në Shqipëri, ai nuk u ndie tërësisht i sigurt.
“Isha në një kafene në Kukës duke e pritur dikë dhe një person me uniformë të UÇK-së erdhi dhe u ul në tavolinën afër. Kalova tri orë duke pritur dhe ndjeva se ai po më shikonte vazhdimisht”, kujton ai.
“Papritmas erdhën dy burra që më njihnin edhe mua, edhe atë. Pasi më përqafuan, u drejtuan nga ai. Shumë shpejt ata dolën jashtë”, thotë Aliu.
Pak minuta më pas, dy burrat që ai i njihte kishin ardhur sërish dhe më treguan se pjesëtari i UÇK-së u kishte thënë se kishte ardhur ta arrestonte Aliun “si një njeri që kishte lidhje me serbët”. Por ata i kishin thënë se Ali Zeqaj është një burrë “ që s’e ka shoqin në Dukagjin”.
Një romancë verore
Çifti së pari u takuan në vitin 1965, kur Aliu dhe shkolla e tij organizuan një ekskursion në vende të ndryshme të Jugosllavisë. Në tren për në Zagreb ata takuan një grup tjetër studentësh. Në mesin e tyre ishte një vajzë që quhej Jelica Kerezoviq nga Bërçko e Bosnjës.
“Ishte shumë e bukur. Filluam të shkëmbejmë letra dhe shpejt u martuam”, thotë Aliu, derisa sytë sërish i mbushen me lot.
“Ishte e guximshme dhe besnike. E kam dëgjuar disa herë duke iu bërtitur policëve serbë në komunë dhe në institucione të tjera”, kujton ai.
Martesa e tij, si shumë të tjera të përziera etnikisht gjatë periudhës së ish- Jugosllavisë, shihej si normale nga familjarët dhe të tjerët, ndonëse në Kosovë martesat jashtë grupit etnik në përgjithësi ishin jo aq të zakonta. Kufijtë mes dy grupeve etnike, shqiptarëve e serbëve, ishin më pak të afërt sesa tregonte shkalla e ulët e martesave mes tyre.
Por pas viteve ’90, kur raportet ndëretnike u përkeqësuan dhe ndarjet u thelluan, shumë njerëz filluan ta shohin Aliun si “person të lidhur me serbët”, thotë ai.
Gruaja e tij punoi si mësuese e gjuhës serbokroate deri në vitin 1992. Atëherë shkollat e mesme dhe Universiteti ishin mbyllur për shqiptarët nga regjimi, që bëri të krijohej një sistem paralel arsimor ku serbokroatishtja nuk mësohej më.
“Ishte kohë e vështirë. Shpesh më është dashur të blej fletore e lapsa për nxënësit, sepse vinin nga familje shumë të varfra”, thotë Aliu.
Ndërsa represioni po rritej në Kosovë dhe lufta po trokiste, gruaja e tij shpesh i kishte ndihmuar njerëzit që arrestoheshin apo burgoseshin nga policia serbe. “Nuk kishte ditë që dikush nuk vinte për të kërkuar ndihmë nga Jelica”, thotë ai.
Ndërkohë, atij iu desh të jetonte me etiketimet si “spiun”, “tradhtar” e “pro-serb”.
“Kishte njerëz që më shmangnin në rrugë për vite të tëra dhe nuk donin të më flisnin. Pastaj papritmas kur iu nevojitej ta lironin dikë nga burgu ose ta merrnin ndonjë dokument, vinin e më luteshin”, thotë ai.
Pas luftës dhe pasi humbën djalin, ai dhe gruaja u kthyen nga Shqipëria në shtëpinë e tyre në Strellc të Ulët dhe e patën të vështirë ta rindërtonin jetën e tyre.
Përkundër gjithë atyre nëpër të cilat kanë kaluar, ai, megjithatë, ka një shpjegim filozofik për atë që ka ndodhur.
“Ne nuk e zgjodhëm këtë histori”, thotë ai. “Na u imponua nga situata”.