Dashuria e njeriut për jetën dhe hijet e vdekjes

15 nëntor 2023 | 11:30

(Dr. Salih Ahmeti, Ditari i pandemisë (Mantelbardhët dhe Covid-19)

Prof. Dr. Emin Kabashi
Instituti Albanologjik i Prishtinës
Këshilltar shkencor

Përkufizimi

Një ditar ku janë në përballje të përhershme jeta dhe vdekja. Kjo luftë e përjetshme e njeriut, nuk e di a ka pasur ndonjëherë një sprovë të këtillë, siç e kishte për afro dy vjet, me Kovid-19. Një botë e tërë ishte mbyllur. Ishin mbyllur rrugët e shkuarjes të njeri-tjetri, siç thotë populli, thuajse kishim harruar edhe emrat e më të afërmeve nga frika se mos i infektojmë me Kovid-19. Në përballje me këtë sëmurje të rrezikshme kishin mbetur vetëm mjekët, kudo në botë, andaj edhe në këtë Kosovën tonë të vogël, shikuar me syrin e globit, por të madhe shikuar me gatishmërinë e mjekëve tanë për ta mundur vdekjen. Autori i këtij ditari, si një lloj i krijimit letrar, me specifikat e tij, dr.Salih Ahmeti, për brezat e ardhshëm ka regjistruar momente jetësore, dëshmi sakrifice, shembuj gatishmërie, që për brezat e ardhshëm do të jenë argumente frymëzimi, në çdo situatë që mund t’i përballin vështirësitë dhe të papriturat e jetës.

Hyrje

Që në fillim dua të theksojë, se Ditari i dr. Salih Ahmetit, është ndër krijimet e rrallë në literaturën tonë, edhe si krijimtari artistike, sepse ditari është një nga llojet letrare, në të cilin bëhet fjalë për ngjarjen më të madhe jetësore të mjekësisë shqiptare të Kosovës, ngase i kishte rënë hise të përballej me sëmurjen e përmasave botërore, Kovid-19.
Pse është i veçantë Ditari i dr. Salih Ahmetit? Së pari, ngase në strukturën e ndërtimit të tij, si krijim letrar, merr frymë prëdithmëria në një institucion shëndetësore, ku luftohej me vdekjen. Së dyti, duke shpaluar anë të veçanta në përballje me këtë sëmurje, lexuesi bëhet pjesë e një atmosfere, që nuk e japin krijimet e tjera letrare, edhe kur e kanë për temë ndonjë të sëmurë, apo ndonjë klinikë, apo ndonjë qendër mjekësore. Së treti, aty bëhet fjalë për një institucion shëndetësor, siç ishte Klinika Infektive, ku vështirë dallohet angazhimi kolektiv, nga ai individual, siç ishte edhe angazhimi i autorit, në disa drejtime, në përpjekje për ta mundur këtë sëmurje. Ballafaqimi ishte i tërëkohshëm, ishte ditë dhe natë, ishte edhe përtej këtij përkufizimi, sepse, asgjë nuk kishte më afër se vdekje në hapësirën në mes mjekut dhe të sëmurit. Çka të thuhet për vdekjen, që ishte kudo? Ata të sëmurë, që u kishte rënë hise, iknin në botën e përtejme, por përjetimi mbetej aty, brenda kolektivit, brenda komunikimit me familjen, brenda shikimit me anëtarët e ekipit të mjekëve dhe infermierëve.
Prandaj, është i veçantë Ditari i dr. Salih Ahmetit, edhe në planin e përjetimit personal, jo vetëm si gjendje emocionale e autorit në këtë rast, por edhe si gjendje e përjetimit kolektivit që përballej me këtë sëmurje dhe pasojat e saj. Mirëpo, ka edhe një anë tjetër shumë të rëndësishme lënda shkrimore e këtij ditari të dr. Salih Ahmetit, ngase lexuesi i sotëm dhe i nesërm, do të gjejë të trajtuara të gjitha fazat e mënyrës së ballafaqimit të mjekësisë së Kosovës me këtë sëmurje, që nga dita, kur janë lajmëruar dy rastet e para, e deri në ditën e fundit, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e konfirmon se kishte përfunduar periudha kohore e sëmurjes Kovid-19, e cila më shumë se asnjë fatkeqësi tjetër botërore, nuk e kishte mbyllur njerëzimin deri në atë nivel.

Përmasa botërore e sëmurjes që përmbysi iluzionet e njeriut

Bota, ashtu siç përjetohej nga njerëzit, në atë periudhë kohore, dukej se ishte zënë në kurth. Një kurth që nuk dihej, e kishte kurdisur vetë njeriu, apo e kishte pjellë natyra. Në tërësinë e gjendjeve që autori, dr. Salih Ahmeti, ka dhënë në Ditarin e tij, krijohet atmosfera e ngjarjeve, që për mendimin tim, është vlera themelore e këtij shkrimi në formën e ditarit. Po ashtu, shpalohen bindshëm shtresime të gjendjeve psikologjike, jo vetëm të personelit mjekësor, jo vetëm të të prekurve nga Kovid-19, por edhe e atyre që ishin jashtë këtij rrethi ku zhvillohej drama e shekullit që e kishte mbyllur njerëzimin më keq se asgjë tjetër. Prandaj, mund të thuhet, se qoftë edhe vetëm për këtë ndjeshmëri që krijon Ditari i tij, si formë e tillë e komunikimit të përditshëm, ndonjëherë kur nuk dallohen qartë oraret e zhvillimit të ngjarjeve, sepse ato ngjarje nuk kishin as ditë as natë, pra ishin të përhershme, andaj, si e tillë, është një strukturë shkrimi që i përballon peshës së harresës së kohës. Në Ditarin e pandemisë, që u kushtohet mantel bardhëve dhe Kovidit-19, autori jep të dhëna interesante, që mund të thuhet se deri atëherë ishin të panjohura, edhe për aspektin e përhapjes së kësaj sëmurje, e cila edhe në përmasën e shëndetësisë së Kosovës, përjetohej dhe konsiderohej si njëra nga përpjekjet më të mëdha për t’i shërbyer njeriut kur rrezikohet nga sëmurjet planetare. Prandaj, mund të thuhet se Ditari i dr. Salih Ahmetit, jep të dhëna interesante, deri atëherë të panjohura, edhe për këtë aspekt të përhapjes së kësaj sëmurje, e cila mund të konsiderohej fatkeqësia më e madhe e njerëzimit në këtë shekull. Tashti, nëse rrumbullakohen të gjitha shtresimet e krijimit të atmosferës së gjendjes së atyre viteve, duke pasur për bazë jo vetëm Klinikën Infektive, ku zhvillohet pjesa më e madhe e ngjarjeve të këtij ditari, që e përshkon shkrimin e autorit nga fillimi e në fund, jemi të bindur se ky krijim dokumentar dhe letrar, ruan vlera njohëse edhe për gjeneratat e ardhshme. Një vlerë tjetër e pakontestueshme e Ditarit të dr. Salih Ahmetit, është shtrirja e informacionit që afron, duke qenë në kontaktet të përhershëm me shumë qendra, brenda dhe jashtë shëndetësisë së Kosovës, del se shkrimi i tij, edhe në këtë plan, bëhet një lloj udhërrëfyesi bindës për gjendjen e përgjithshme.

No description available.

Jeta shoqërore në Kosovë dhe atmosfera e përgjithshme në faqet e Ditarit

Çka konsideron lexuesi vlerë themelore të një shkrimi, qoftë edhe në formën e Ditarit? Kjo është dilema e përhershme e akëcilit shkrues, që kur mbahet mend për moshën e shkrimit. Nëse lexuesi e përjeton atmosferën që krijon shkrimi, nëpër secilën faqe, atëherë krijohet bindja se edhe ai ishte pjesë e kolektivit të Klinikës Infektive, atëherë edhe ai, lexuesi pra, e krijon bindjen, se edhe ai, në një mënyrë, apo në një tjetër, ishte pjesëmarrës i konsultimeve të mëngjesit, i referimeve që bënin mjekët kujdestar, i lotëve në heshtje, apo edhe publikisht, që nuk mund i mbanin kur tregonin për humbjen e miqve, të shokëve të profesionit, të të sëmurëve të tjerë. Nëse lexuesi bëhet pjesë e kësaj atmosfere, mendoj se shkrimi ka plotësuar kriterin themelor që t’i përballojë kohës, pa marrë parasysh, do të ketë në të ardhmen sëmurje të këtilla, ku do të mbyllej mbarë njerëzimi, apo mund të ketë diçka të ngjashme, që ata që vijnë, do ta përdorin si përvojë për ta tejkaluar gjendjen dhe vështirësitë që krijon secila situatë kur njeriu gjendet në mes jetës dhe vdekjes. Ditari i dr. Salih Ahmetit, nesër-pasnesër do të ketë edhe një kategori tjetër të lexuesit, e ai është lexuesi i njohurive profesionale mjekësore, ngase në shkrimin e tij, ka aq shumë të dhëna, edhe përkufizime terminologjike, ka aq shumë burime informacioni, sa askush nuk do të jetë indiferentë me të dhënat që ka afruar. Të dhënat e shumta të mjekësisë, debatet dhe mbledhja e informatave si burim i domosdoshëm i njohurive shkencore, e bëjnë Ditarin e tij, një burim të rëndësishëm të informacioni shkencor, që do të hyjë në punë brezave të ardhshëm, kur dihet se informacioni shkencor është i domosdoshëm për përcjelljen e niveleve të zhvillimit të mendimit shkencor. Të gjitha këto të dhëna, mua si lexues jo i fushës, edhe mund të mos më bënin përshtypje, por kur njeriu vetëdijesohet, se edhe ai informacion shkencor, ishte pjesë e asaj atmosfere të përgjithshme, që krijon rrëfimi i ditarit të tij, atëherë lexuesi harrohet duke mbajtur frymën se si mund të përfundojnë gjendje të caktuara të asaj atmosfere të përgjithshme. Në Ditarin e Dr. Salih Ahmetit, ka edhe një aspekt tjetër, i vlerës së të dhënave që afron shkrimi. Aty ka informata interesante, të marra përmes kontakteve që ishin të shumta dhe të shpeshta, qoftë me mjek të huaj, në Evropë dhe në Amerikë, qoftë me mjek të vendit, ku nuk është këmbyer vetëm përvoja, por është shpërfaqur edhe gjendja e përgjithshme e atmosferës që kishte krijuar përhapja e kësaj sëmurje, që quhej Kovid-19.

Përfundim

Jemi dy vetë që e kemi pasur më së gjati nëpër duar dorëshkrimin e këtij ditari, autori dhe unë. Do të thotë, se duke lexuar me shumë kureshtje Ditarin e dr. Salih Ahmetit, lexuesi në përgjithësi, andaj, edhe unë, ka raste kur mendon se është diku në Klinikën Infektive, se është duke i dëgjuar mjekët duke diskutuar në mbledhjet e mëngjesit, kur raportohej edhe për vdekje njerëzish.
Por, ajo që për mendjen time është baza e shkrimeve të mbajtura për çdo ditë dhe për çdo natë, në Ditarin e dr. Salih Ahmetit, është krijimi i atmosferës së gjendjes së përgjithshme shoqërore, që ishte në Kosovën e atyre viteve, që ishte në Klinikën Infektive të atyre viteve, por në fund të fundit, që ishte edhe në familjen e secilit nga ne, e sidomos në familjen e secilit nga mjekët e angazhuar për tejkalimin e gjendjes që ishte krijuar nga sëmurja e Kovid-19, për zvogëlimin e pasojave që thuajse ishin kudo të pranishme.
Kjo atmosferë e dhënë në secilin faqe të Ditarit të tij, mendoj, është vlera themelore, qoftë edhe vetëm për faktin se lexuesi i secilës kohë, do ta përjetojë atë atmosferë të përgjithshme të atij ankthi shoqërore, që përjetohej nga secili individ në mënyrën e tij, por nga secili mjek në mënyrë të veçantë..

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të martën…