Dashuria është përmbajtja kryesore e jetës së njeriut
Intervistë me poetin dhe profesorin e letërsisë shqipe, Sali Bashota
Bisedoi: Berat Armagedoni
I nderuar profesor Bashota, intervista, edhe më të gjata se kjo, ndoshta edhe më të bukura, për media dhe për mediume të tjera, keni dhënë shpesh. Madje keni dhënë intervistë të gjatë saqë ka zënë vend në një libër prej 200-faqesh, i cili është botuar në gjuhën shqipe, paralelisht edhe në gjuhën angleze dhe franceze. Në atë intervistë jeni përgjigjur për shumëçka nga jeta dhe krijimtaria juaj. Çfarë do të donit të shtonit më tutje?
Intervista që përmendni ka titullin Poezia si teori e dashurisë. Është realizuar nga Gëzim Arifi. Së pari është botuar në librin Palimpsesti i ideve (Parnas, 2013), pastaj është botuar në tri gjuhë: në shqip, anglisht (përkthyer nga Avni Spahiu) dhe frëngjisht (përkthyer nga Bade Bajrami), me titullin Ego (Pen Qendra e Kosovës, 2014). Iu kam përgjigjur 33 pyetjeve të cilat ndërlidheshin vetëm me poezinë dhe jo me krijimtarinë time letrare në tërësi. Disa studiues të letërsisë e kanë konsideruar si referencë orientuese për ta njohur poezinë time, por edhe si udhërrëfyes për autorët e rinj. Prandaj, jam i lumtur që është pritur mjaft mirë te lexuesit.
Me këtë rast, për këtë intervistë, kam shumëçka të them për pyetjet që m’i keni bërë për revistën Akademia dhe më keni futur në kërkimin e ri të vetvetes nga kujtimet e fëmijërisë e deri më sot. Disa kujtime kanë jetuar e mbijetuar, disa janë harruar e fshirë, disa janë të bukura, disa të tjera janë të pikëllueshme dhe të dhimbshme.
Shpresoj dhe besoj se shumë ide, fakte, kujtime, rrëfime, të ndodhura, përjetime etj. e sprovojnë konceptin tim krijues për një lloj rikthimi në nostalgji jetësore, në njërën anë dhe, për ta ndërtuar mendimin tim, në anën tjetër, pikërisht duke dhënë përgjigje për krijimtarinë time letrare, për letërsinë, për kulturën, për jetën, për dashurinë, për vetminë, për lumturinë, për ëndrrat, për rininë, për procesin krijues, për leximin, për vlerësimin e letërsisë, për probleme sociale dhe kulturore.
Gjithmonë më ka interesuar ndërtimi dhe funksionalizimi i një kuptimi, befasia me gjërat e bukura që ndodhin rrallë në jetë apo superioriteti i pasioneve për ta arritur qëllimin në jetë dhe krijimtari. Gjithsesi, intervista mund të jetë një mundësi interesante për ta shpalosur botën time krijuese me një lloj të rrëfyeri autobiografik, për ta trajtuar praninë dhe ekzistencën e frymëzimit në veprat e mia. Për më tepër, është një ftesë që e ka gjithmonë pranë kujtesën për frymëzimin dhe pasionin për shkrimin.
Sali Bashota në moshën e rinisë ka qenë një futbollist shumë i mirë. Po të mos bëheshit profesor letërsie, po të mos i mësonit teknikat e shkrimit të esesë, të recensionit, të poezisë, të prozës poetike, paraqitjen para studentëve pa drojë, a do t’i mësonit teknikat e lojës së futbollit? Pra, a do të bëheshit futbollist?
Kur isha vetëm gjashtë apo shtatë vjeç ëndërroja të bëhesha futbollist. Isha një nga shumë fëmijët e lagjes së Bashotëve që e donim pa masë futbollin dhe luanim çdo ditë deri në orët e vona të natës. Asnjëherë s’pajtohesha me humbjet. Si fëmijë e ndieja vazhdimisht se po krijoja një vetëbesim të tepërt në vetvete dhe ëndërroja se do të bëhesha një ndër futbollistët më të mirë. Më pëlqente përkushtimi ndaj futbollit, sidomos imagjinata e lojës, teknikat e kapërcimit të kundërshtarëve, stili i pasimit të shpejtë të topit, duartrokitjet e shikuesve, përqafimi me simpatizantët e mi. Dëshiroja me këmbëngulje që çdo gjë ta bëja bashkë me lojtarët e ekipit tim për ta fituar lojën, madje me rezultat sa më bindës. Asokohe instinkti im i vetëm ishte se pretendoja të bëhesha i famshëm, pikërisht me lojën e futbollit. Më pëlqenin pa masë fanellat me ngjyrë të kaltër dhe sidomos numri nëntë. Kurrë nuk kisha menduar se numri nëntë do të bëhej edhe simbol i poezisë sime, madje ndjenjë e mrekullimit figurativ edhe në krijimtarinë time letrare.
Çfarë kujtoni nga fëmijëria, veçan sa ishit në shkollën fillore?
Kohae fëmijërisë është pjesa më e lumtur e jetës sime, më e dashura, më e paharruara, më e veçanta. Asnjëherë nuk mund t’i largohem përmallimit të përhershëm për të. Asokohe çdo gjë fillonte me përqafimin e Nënës, me çastet e lumtura të përqafimit, me përmbajtjen e papërshkruar të jetës së gëzuar, me tregimin e përrallave të bukura, me buzëqeshjen, me ëndrrat, me zhurmën e fëmijëve të lagjes me të cilët luanim bashkë, pastaj me dëshirat e shumta se çfarë do të bëhesha kur të rritesha.
Shiu, vjeshta, bora, udhëtimi në orët e hershme të mëngjesit për të arritur me kohë në shkollën e Kijevës, pastaj çastet kur i bëja detyrat e shtëpisë, kur e shtrëngoja fort lapsin për të shkruar bukur dhe drejt, sepse gati çdo ditë ua thyeja majën lapsave dhe, duke i mprehur vazhdimisht, deri në mbrëmje s’mbetej gjë prej tyre. Nëna më qortonte që i shtrëngoja kaq shumë me dy gishtërinjtë e dorës së djathtë. Qortimi i saj më ngjallte besimin për të shkruar bukur, por edhe pa gabime. Gjithashtu, çdo ditë më rrinte gati të mos i harroja librat që i vendosja natën nën jastëk. Sa herë më vlerësonte nëna, sikur fluturoja nga gëzimi i papërmbajtur. Kjo më dukej si një përrallë e bukur për mua sepse çdo gjë më pëlqente që ta bëja sa më parë.
Si fëmijë jam përkujdesur shumë për pëllumbat. Asokohe familja ime kishte shumë pëllumba, pothuajse të të gjitha ngjyrave. Pëllumbat e bardhë më pëlqenin më së shumti. Për herë të parë pata dëgjuar si fëmijë se si i krahasonin pëllumbat me engjëjt. Gjithashtu, nga babai, ndjesë pastë, e pata dëgjuar fjalën gjynah (mëkat). Nuk më merrte gjumi deri vonë duke menduar se a mund të bënin edhe pëllumbat mëkate apo mëkate bëjnë vetëm njerëzit e këqij.
Isha fëmija i parë i familjes, madje shumë i përkëdhelur. Si fëmijë, ndoshta nga ndjenjat e fshehta, i imitoja kënaqësitë e jetës të cilat i jepnin vazhdimisht gjallëri shpirtit tim optimist. Më pëlqenin pa masë ushqimet e ëmbla. Më pëlqente t’i përqafoja të dashurit e mi, por edhe ata ta bënin të njëjtën gjë për mua. Sikur i përvetësoja njerëzit e afërm që të më lavdëronin për shkathtësinë dhe gjeturinë, pikërisht për të rënë sa më shumë në sy, madje për çdo gjë. Më pëlqente të mbaja flokë të gjatë dhe sidomos ta zgjatja para pasqyrës blenin e flokut i cili më mbërrinte deri nën hundë.
Asokohe shpeshherë vizatoja emra të ndryshëm njerëzish në pluhurin e rrugicave të lagjes sime. Ky qe një nga pasionet e mia, sidomos në ditët e ngrohta të verës. Sa herë binte shi kthehesha në dhomën time të gjumit dhe në dritaret e avulluara vizatoja figura të ndryshme, sidomos zogj, lepuj, mace, por edhe lule, si dhe plisin e babait tim. Tani më kujtohet se si një ditë vjeshte i pata vizatuar edhe krahët e dallëndysheve, duke menduar se ato po fluturonin në qiellin e kaltër.
Nëna vazhdimisht më qortonte pse isha një fëmijë i lazdruar, i sikletshëm dhe shumë i parehatshëm. Pothuajse isha i interesuar për çdo gjë që kishte të bënte me kureshtjen për të magjinuar apo shpikur diçka interesante në mendjen time. Kjo ishte një lloj magjepsjeje interesante dhe e pazbërthyeshme asnjëherë deri në fund, ndoshta edhe me një lloj habie. Thosha me vetvete si iknin kështu ndjenjat e njeriut dhe ku shkonin ato, o Zot!
Oborri i shtëpisë, pastaj kopshti që e quanim “Ara e selishtave”, ishte përplot ftonj dhe kumbulla, ndërsa kishte më pak pemë të tjera. Më pëlqente shumë era e ftonjve. Shpeshherë nëna i mbante në arkë ftonjtë dhe sa herë që e hapte arkën, aroma e tyre e mbushte tërë dhomën. Si fëmijë, gjithnjë e më shumë më mungonin, sidomos gjyshja dhe gjyshi, meqë ata kishin ikur në amshim disa vjet më herët pa ardhur unë në këtë botë. Ndjesinë për mungesën e gjyshit dhe të gjyshes në familje i zëvendësoja me dashurinë që ma ofronin gjyshi dhe gjyshja e dajave, pra prindërit e nënës. Të dy i doja shumë.
Më pëlqente të thosha: unë e kam një dëshirë. Të bëja çfarë dëshiroja vetë, duke shkaktuar zhurmë e padëgjueshmëri. Ajo dëshirë bëhej e papërshkrueshme dhe shfaqej me reagim të shpejtë dhe jo rrallë edhe me hatërmbetje. Nëna ma tërhiqte vërejtjen, ndërkaq babai vetëm më shikonte, pastaj m’i përkëdhelte flokët me një durim të pazakontë derisa më zinte gjumi. Një pjesë të këtyre kujtimeve i kam paraqitur në veprën me prozë poetike Shkallët e natës.
Thosha unë kam një dëshirë: t’i këpusja gjethet e pemëve dhe duke i numëruar ato pa i bërë copa-copa. Çuditërisht gjeja nga një epitet apo krahasim, duke përmendur emra njerëzish, kafshësh dhe shpezësh. Më pëlqente këputja e gjetheve dhe loja me to, duke lënë mënjanë zhgënjimin e pamjaftueshëm, përse në të njëjtën çast përbrenda vetvetes kisha edhe gëzim, por edhe frikë. Disi dalëngadalë kjo më shndërrohej në një ves të çuditshëm dhe të pakuptueshëm. Si fëmijë mendoja, sa herë frynin erërat, si fluturonin gjethet e ku shkonin e ku binin, kah e merrnin rrugëtimin e tyre. Loja me gjethet sikur ma krijonte një imazh të çuditshëm, duke më bërë të lumtur, pikërisht për imagjinatën, sepse doja të krijoja diçka të bukur në mendjen time. Po kështu, imazhet e asaj kohe sikur më shfaqen shpeshherë, sidomos në poezitë e shkruara vitet e fundit.
Si fëmijë isha kureshtar i madh ta kuptoja buzëqeshjen e njerëzve. Pse buzëqeshnin njerëzit dhe pse ishin të lumtur? Nga kush do të varej kjo lumturi. Pothuajse ishte një parandjenjë e pazakontë për realitetin e përditshëm, që si fëmijë mund të kisha këto mendime, që nuk ishin më shumë se iluzion, të thosha se kur të rritem do të bëhem njeriu më i buzëqeshur në botë.
Nuk pranoja urdhra, edhe pse kisha shumë kërkesa, ankesa dhe lutje. Ndoshta isha fëmija më i çuditshëm që bëja kaq shumë lutje për t’i plotësuar dëshirat e mia. Asokohe kisha mësuar shumë gjëra të rëndësishme, ndër të tjera, ta thosha dhe ta kuptoja gjithmonë të vërtetën. Në atë moshë kisha dëshirë të vishja rroba të bardha dhe rroba të kaltra, si dhe të merrja vetëm pesëshe. Pa masë më pëlqenin rrëfimet, kur të rriturit i tregonin ëndrrat dhe gjumin e tyre. Ky, mbase, ishte një nga argëtimet më interesante në atë kohë sepse për ëndrrat e mira thoshin që ndjellin fat dhe lumturi, prandaj unë dëshiroja të shihja vetëm ëndrra të bukura. Vokacioni im u zbulua si fëmijë kur bëja hartime të bukura në shkollë, për çka më lavdëronin mësuesit e mi, pastaj kur botoja poezi në gazetat e murit. Gjithmonë ma tërhiqnin vëmendjen njerëzit që kishin ambicie në jetë, njerëzit e zgjuar dhe të qetë, njerëzit që kishin virtyte dhe që ishin të sinqertë. Isha i bindur se edhe zgjatja dhe shtrëngimi i duarve do të duhej ta kishte besimin e njeriut, miqësinë, përzemërsinë dhe jo dyshimin.
Çfarë kujtoni sa ishit nxënës në gjimnaz?
Kur isha gjimnazist në Kijevë, atëkohë në vitet 1974-1978, më kujtohet se vazhdoja prapë pasionin e madh për futbollin, gjithashtu lexoja shumë romane dhe vepra me poezi. Punoja shumë në familje. Shkruaja poezi. Në gjimnaz kam filluar të mendoj më seriozisht për letërsinë. Imagjinoja gjëra të bukura, se si mund të bëhesha njeri i lumtur apo i dashur për të gjithë. Në fakt, ky ves apo virtyt më kishte mbetur kur isha fëmijë. Flisja shpejt, lexoja shpejt, por mendoja ngadalë. Nuk di pse gjithmonë e synoja të pamundurën. Si një nevojë e brendshme shpirtërore, më pëlqenin gjithmonë përshkrimi, këndvështrimi, respekti për njerëzit, atmosfera për të fantazuar të ardhmen e jetës sime.
Më pëlqente tepër gjurmimi i fjalëve që nuk ua dija kuptimin dhe domethënien, por edhe fjalët që më bënin të gëzuar, si: buzëqeshje, dashuri, përqafim, lumturi, besim, shpresë, dituri etj. Kur isha gjimnazist fillova ta kuptoja ndjenjën e fajit, ndjenjën e shqetësimit, ndjenjën e dhimbjes, ndjenjën e kërkimfaljes. Sikur më shkëlqenin sytë nga rrëmbimi i këtyre ndjenjave, sepse isha kureshtar ta dija përmbajtjen dhe kuptimin e tyre të vërtetë.
Më kujtohet kur e pata pyetur profesorin e filozofisë, se cilat janë parimet kryesore të njeriut, pastaj për domethënien e fjalës mëkat,si dhe për padrejtësitë që bëjnë njerëzit. Sikur fjalët e mia përplaseshin njëra mbi tjetrën vetëm për ta arritur efektin e dëshiruar.
Po kështu, ditën tjetër e pyesja profesorin edhe për fjalët që nuk ua dija porosinë. Atëbotë sikur kisha një aftësi të pashprehur për të bërë pyetje të çuditshme, ndonjëherë edhe të pamenduara mirë.
Sikur hulumtoja me admirim në ndërdije vetë realitetin e bindjeve të mia për t’i stërholluar ato në portretizimin e njerëzve që më rrethonin. Isha i padurueshëm me gjërat e paarsyeshme, me inatin, me xhelozinë, me zemërimin të cilat nuk treteshin lehtë në mendjen time.
Kur profesori i Gjuhës Shqipe na shpjegonte për ngjarje të ndryshme, të cilat shkrimtarët i paraqisnin në veprat e tyre, kryesisht në romane, mendoja se ajo pamje e imagjinuar po bëhej reale para syve të mi. Më pëlqente ana heroike e personazheve në vepra të ndryshme, por më shumë historia e dashurive të mrekullueshme. Kur e lexova për herë të parë dramën Romeo e Zhyljeta assesi nuk mund ta bindja veten se si dy personazhet e dashuruara në fund të dramës bënin vetëvrasje. Po kështu, ndieja një dhimbje të pafund për shkrimtarët të cilët kishin vdekur të rinj, siç qe, një nga ta, Migjeni. Më dhimbsej jeta e Zef Serembes, shtegtimi, vetmia, depresioni, krejt të ndërlidhura me dashurinë e tij shpirtërore.
Kuptimin e njohjes për gjëra dhe fenomene të ndryshme e ndërlidhja gjithmonë me dijen dhe besimin. Gjithnjë më interesonte perceptimi i objekteve, sidomos i shkollës ku mësoja, sepse muret e saj ishin veshur me drurë ngjyrë arre. Më shqetësonte çasti apo detaji se çfarë imagjinoja në radhë të parë: formën, përmbajtjen apo përfytyrimin e fantastikes që mbretëronte në mendjen time. Në fakt, fantastike më dukej buzëqeshja e një vajze në klasë apo cingërima e ziles kur përfundonte ora e mësimit. Ndieja një gjendje të përzier bashkë me fantazi. Natyrisht, ky ishte iluzioni im më i bukur, kur bëhesha edhe komentues i këtyre situatave në mendjen time, se cili ishte dallimi midis parandjenjës dhe ndjenjës, parapëlqimit dhe pëlqimit, paragjykimit dhe gjykimit etj. Kur një nxënës i klasës mësonte më shumë se unë, assesi nuk e bindja vetveten: pse nuk bëhem unë si ai. Më kapte një inat i papërmbajtur. Isha i shqetësuar tepër për gjërat që nuk mund t’i bëja menjëherë, mirëpo çdo gjë dëshiroja të arrija me meritë. Isha ëndërrues melankolik dhe tepër i ndjeshëm. Shpeshherë mendoja që njerëzit dashakëqij të mos jetonin në këtë botë.
Po nga jeta studentore, keni ndonjë ngjarje që e shihni në ëndërr edhe sot e tutje?
Jeta studentore është dëshmia më e fuqishme personale për një lidhje me ngjarjet e jetës, ndoshta jetëshkrimi më i bukur për gjithë ato çaste e përjetime të rralla dhe të papërsëritshme.
Si student kam veshur kostume të bukura të cilat i qepja te rrobaqepësi. I ruaja dhe mbaja mirë dhe pastër. Gjithmonë gëzohesha kur blija kostum të ri. Kam pasur flokë të gjatë dhe jam shoqëruar shumë me studentë të brezit tim, por edhe të gjeneratave të tjera. Secili e kishim në vetvete vetëbesimin, vullnetin dhe krenarinë rinore, që të tregonim sa më shumë dije para profesorëve tanë, por edhe t’i respektonim ata.
Kam shumë kujtime për t’i rrëfyer për ligjëratat, për jetën në konvikte studentore, për demonstratat e vitit 1981, për orët letrare të organizuara në Fakultetin Filozofik, për botimin e poezive në gazeta dhe revista letrare, por edhe për brengat e ndryshme.
Gjenerata e studentëve e Degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, e viteve 1978-1982, së cilës i takoja edhe unë, ishte ndër gjeneratat më të mira asokohe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Cilën ngjarje do ta shihja në ëndërr sot e tutje? Kjo është pyetja juaj? Shumë ngjarje do të dëshiroja t’i kujtoja. Kjo është përgjigjja ime.
Më pëlqente qëndrimi në mjedisin studentor, rrëfimi për situatat nga jeta reale, pasioni i vazhdueshëm për t’i njohur shëmbëlltyrat e poetëve të njohur të cilët në veprat e tyre e përshkruanin herë vetminë, herë dashurinë, herë vuajtjen. Kjo e fundit ma tërhiqte vëmendjen më së shumti. A thua edhe unë po kërkoja një të vërtetë të vetme. Nuk di pse më ngulitej vazhdimisht në mendje që të merrja sa më parë informacion për dukuritë dhe fenomenet letrare dhe për qëllimin e studimit të letërsisë. Ishte një testim i vetvetes. Nga të filloja më parë: nga teoria e letërsisë, nga kritika letrare apo nga historia e letërsisë apo të shkoja më tutje vetëm te problemet e filozofisë, përpara ambicieve të mia shpirtërore, se mos po bëja ndonjë mëkat të mendjes.
Gjithnjë ëndërroja të zbuloja se cili ishte pushteti i poezisë? Cili do të ishte raporti i fjalëve dhe i figurave përbrenda një poezie? A do të ishin ato si fëmijëria apo rinia ime? A do të bëhem lexues, interpretues apo krijues i poezisë? A mund të mbaja në mendje mijëra kujtime dhe pastaj nga to ta gjeja të pamundurën, përmes fuqisë së përjetimit dhe përmasës së idealizmit, se cili do të ishte përkushtimi dhe fryti i dashurisë së madhe për letërsinë përtej joshjes magjike?
Kur vinte e shtuna më merrte malli për vendlindjen, sidomos për vëllanë, Muhametin dhe për motrën, Afërditën. Edhe fundjava kishte çaste të paharrueshme, meqë qëndrimi në mjedisin familjar ishte një kënaqësi e papërfytyrueshme.
Jeta studentore më bënte shumë ngulmues për ta mbërritur qëllimin për sukses në studime. Doja të dija çdo gjë për fatin tim, sikur përfytyroja një roman me imagjinatë të bujshme, me syzhe, fabul, personazhe të ndryshme, ku skicat e jetës sime do ta kishin mrekullinë e të shkruarit për diçka që do të mund të ekzistonte më vonë, fjala vjen, sikur Interpretimi i ëndrrave të Frojdit.
(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. Vijon në numrat e ardhshëm të gazetës: https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/07/Epoka-16-korrik-2021.pdf).