Dashuria për atdheun dhe njeriun në vargje
Izet Abdyli
Imer Gllareva, “Vargu pikon mall”, poezi, “Art Club ‘Rifat Kukaj’”, 2023
Pas vëllimit të parë me poezi ,,Frymëmarrje jete”, Imer Gllareva vjen edhe me përmbledhjen e dytë të poezive me titull ,,Vargu pikon mall”. Motivi i atdhedashurisë është lajtmotivi kryesor i poezive që prezantohen në këtë libër. Historia e lavdishme e trevës së Drenicës, prej nga vjen edhe poeti, ka qenë frymëzimi kryesor, ku si kroje të kristalta rrjedhin vargjet, përmes të cilave i këndon heroizmit të trimave të këtij trolli. Që në nismë takojmë këtë motiv, te poezia ,,Si t’shqiponjës e kam syrin”, vargje përkushtuese për Adem Jasharin; pastaj për trimat e vendlindjes – Fortesën, për sakrificën e popullit të tij, etj. Rrugëtimin historik të popullit përballë sfidave dhe vështirësive të panumërta e gjejmë edhe në poezitë kushtuar akëcilës ngjarje historike. Poezia ,,Atdheu” përmes vargjeve ,,Hape zemrën tënde o njeri/ Dhe thuaj me shpirt: Atdhe të dua!” sikur sublimon tërë këto përpjekje të trajtimit të kësaj tematike, sa të ndieshme, poaq edhe frymëzuese. Numër i konsiderueshëm i poezive janë përkushtime për heronjtë si: Adem Jashari, Agim Ramadani, Driton Veliu; pastaj për poetët: Fazli Greiçevci, Jusuf Gërvalla, Ymer Elshani, Rifat Kukaj, e shumë të tjerë.
Mirëpo, poeti nuk mund t’i ikën lidhjes së tij shpirtërore dhe emocionale edhe me njerëzit e tij më të dashur, me familjen, nënën, babain, me fëmijët dhe nipërit, të cilët ndodhen në mërgim. Me motivin e kurbetit ,,këtë plagë që lëngon”, siç thotë edhe poeti, do të takojmë një sërë poezish, që si meteor rrezatojnë dashuri dhe mall të pafund, me synimet që sa më shpejtë të shërohet kjo plagë, tashmë shekullore. Kjo plagë i lëngon shumëfish më rëndë vetë poetit, i cili ka qenë pjesë e këtyre vuajtjeve dhe katrahurave të përjetuara në një kohë tepër të nderë, që këtu me copëza malli i ka pasqyruar përmes vargjeve plotë ndjeshmëri.
Këtë libër e përshkojnë edhe poezi motivuese për jetën, e cila i ka bukuritë dhe vlerat e saja, siç e takojmë në vargjet: ,,Kërkoje nektarin e lumturisë rrugëve të jetës”. Ka edhe shumë lirika të tjera që lidhen me vendlindjen, me kujtimet e fëmijërisë, me lojërat, me moshën e tretë, që pasqyrojnë botën e tij jetësore në tërësi, duke ia shtuar koloritin vargjeve të këtij vëllimi.
Në përgjithësi, me librin e dytë Imer Gllareva dëshmon se në botën e poezisë nuk ka hyrë rastësisht. Ai me përkushtim i është çasur latimit të vargut, duke i dhënë formën monumentale të përshkuar me vlerat e dëshiruara letrare.