Daut Haradinaj: Do të jem zëri i fuqishëm i bashkëluftëtarëve që ndodhen në Hagë dhe i kategorive të lirisë
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka thënë se prioritet i tij në mandatin e ri si deputet do të jenë gjykimi i padrejtë i krerëve të UÇK-së dhe ndryshimi urgjent i ligjit të veteranëve.
Kështu ka thënë Daut Haradinaj i cili është duke marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të OVL UÇK në nivel qendror.
“Veteranët e luftës sot po zgjedhin udhëheqësin e ri. Në këtë kuvend pata rastin të takoj figura emblematike të kohës së luftës dhe aktivistë të devotshëm të kombit. Gjatë bashkëbisedimit, tema kryesore ishte gjykimi i padrejtë i krerëve të UÇK-së dhe ndryshimi urgjent i ligjit të veteranëve, si dhe trajtimi i tyre me dinjitet. Mandatin e ardhshëm, top prioritet personal i imi do të jetë zgjidhja e këtyre dy temave. Kur ka vullnet, gjithçka është e mundshme, e vullneti s’do të mungojë aty ku duhet.
Suksese atyre që zgjidhen sot në krye të OVL UÇK!
Përkrahja s’do t’ju mungojë!”, ka thënë Daut Haradinaj.