Daut Haradinaj: Patriotët e rinj – motor i inovacionit dhe transformimit të Kosovës
Haradinaj beson fuqishëm në gjeneratën e re të Kosovës, për të ata janë brezi i patriotëve të rinj.
Daut Haradinaj, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së, ka theksuar rëndësinë e investimit në potencialin, energjinë dhe kreativitetin e të rinjëve të Kosovës.
Në tubimet elektorale me rininë e Deçanit dhe komunave tjera, Haradinaj ka potencuar se të rinjtë janë bosht i transformimit të vendit dhe se ata duhet të jenë në qendër të vendimmarrjes politike dhe zhvillimit ekonomik.
“Nuk ka krenari më të madhe sesa kur flas për rininë. Gjenerata e re nuk është vetëm një grup moshash, ata janë motorët e inovacionit, kreativitetit dhe lidershipit. Është koha të investojmë seriozisht në arsim cilësor, hapje mundësishë për punësim dhe krijimin e hapësirave ku ata të ndihen të dëgjuar dhe të fuqizuar me një qeveri të re që i dëgjon idetë dhe sfidat e tyre. Jam krenar me rininë e Kosovës dhe energjinë e tyre të jashtëzakonshme,” tha Haradinaj.
Ai nënvizoi se të rinjtë e Kosovës duhet të trajtohen si partnerë të barabartë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të fortë. Sipas tij, është jetike të krijohen politika konkrete që i mbështesin ata me rrugëtimet që zgjedhin.
“Një qeverisje me Kosovën Fituese, do të ofrojë mbështetje për startup-et, zhvillimin e teknologjisë dhe promovimin e talentit të tyre në tregun ndërkombëtar. Kosova ka të rinj që nuk njohin kufij në aspiratat e tyre. Ne duhet të bëjmë hapa para që rinjtë tanë që studiojnë jashtë Kosovës t’i sjellin eksperiencat e tyre në Kosovë e ta rivitalizojnë atë, e ardhmja u takon atyre” shtoi ai.
Në përfundim, Haradinaj theksoi se një qeverisje nën sloganin “Për Kosovën Fituese” do të krijojë mundësi konkrete për gjeneratën e re, duke siguruar që ideja dhe energjia e tyre të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e Kosovës dhe përparimin e politikave që i mbështesin ata.