Daut Haradinaj: Prishtina nuk ka kuptim pa shtatoren e Adem Jasharit
Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, së bashku me një pjesë të ekipit të tij, ka nënshkruar të martën peticionin për vendosjen e shtatores se komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se nuk ka kuptim që Prishtina të jetë pa shtatoren e Adem Jasharit .
“Nënshkrova sot peticionin e ‘Plisave’ për vendosjen e shtatores së heroit tonë kombëtar Adem Jashari. Kryeqyteti i Kosovës, nuk ka kuptim pa shtatoren e tij, vlerat tona historike kombëtare janë imazhi i parë i një shoqërie që respekton të kaluarën duke shikuar nga e ardhmja e sigurt e cila në themelet e saj ka sakrificën sublime të burrave e grave të vendit tanë. I përgëzoj ‘Plisat’ për këtë iniciativë tepër të qëlluar, ky projekt do të realizohet bashkërisht me kërkesat e tyre”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.