Daut Haradinaj reagon ashpër për gjendjen me ushqim në FSK: Kryeministër, të ka humbur rruga në oborr
Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër për gjendjen kritike me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Haradinaj ka thënë se situata me ushqim në FSK është krim. Ky reagim i Haradinaj vjen pas letrës së komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, i cili ka paralajmëruar ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci se do t’i ndërprenë të gjitha aktivitetet.
“Nëse jam ndjerë krenar si deputet i popullit të Kosovës, ka qenë momenti kur kam votuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës, ushtri që e mban gjallë shpresën për një vend të sigurt e në familjen e madhe politiko-ushtarake NATO. Që vjen dita në 2024 ushtarët tanë të trajtohen në këtë nivel, këtë kurrë se kam besuar. Kjo përbën në vete më shumë se krim. Kjo i nxitë armiqtë e Kosovës e që nuk janë të paktë, që të sfidojnë vendin tonë. Sot do të ishte mirë që përgjegjësit e kësaj situate të ishin të lidhur dhe të përballur me drejtësinë. Kryeministër, të ka humbur rruga në oborr. Shkarko ata që e bënë këtë krim të turpshëm!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.