Daut Haradinaj tregon komunikimin mes Zharkut dhe Bechtel – Enkas (DOKUMENT)
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, prezantoi një dokument, që sipas tij, tregon komunikimin që ka bërë qeveria në krye me Isa Mustafën, konkretisht komunikim elektronik mes ministrit Lutfi Zharku dhe Bechtel & Enkas.
Haradinaj ka thënë se ka marrë një kominikim intern të miqve të tij gjatë qeverisë së kaluar, ku Bechtel & Enka kishte komunikuar me Zharkun.
“E kam marrë një komunikim intern të miqve të mi të qeverisë kaluar, ministrit dhe Bechtel & Enkas. Komunikim rreth obligimeve, me datë, me orë, vendin, kush, çka ka komunikuar”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se kjo Qeverisje është dashur patjetër të kryejë këtë obligim pasi borxhi ndaj kompanisë Bechtel & Enka vetëm se ishin ngritur duke shkuar deri në 63 milionë.
“Nëse ne nuk e kishim kryer këtë obligim, se këtu edhe shkruan, nëse nuk gaboj prej 62-63 milionë ka zbrit në shumën 53, që do të thotë 10 milionë më pak, në secilin Arbitrazh ky do ta fitonte rastin“, ka thënë Haradinaj në Rubikon të KTV-së.
Kosova ishte dakorduar më 2014 me konzorciumin amerikano-turk që tri vjet ta ndërtonin autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 599.9 milionë euro. Punimet do të duhej të përfundonin me 20 janar të vitit 2018, por vonesat në pagesa bën që Qeveria të kërkojë që afati të shtyhej edhe një vit, saktësisht deri më 31.12.2018.
Si pasojë e këtyre vonesave, Bechtel & Enka në fund të muajit nëntor 2017 dorëzoi një dokument në Ministri të Infrastrukturës me pretendimin prej 63 milionë eurosh.